E Diel, 1 Nëntor 2026

Erdoan, apel ndërkombëtarëve për qëndrimin ndaj Izraelit


Erdoan u bashkua me të ftuarit në Stamboll për Konferencën e Bashkëpunimit dhe Masave për Ndërtimin e Besimit në Azi në darkën e shtruar për nder të tyre.

Shefi i qeverisë turke u shpreh se Izraeli, duke sulmuar anijet me ndihma humanitare, ka shkelur me këmbë të drejtën ndërkombëtare.

"Në këtë sulm pirat u vranë qëllimisht 9 vetë, ndër të cilët njëri shtetas amerikan me origjinë turke, ndërsa 8 të tjerët shtetas të Republikës së Turqisë. Ky sulm, nga pikëpamja e vlerave humanitare, në historinë e njerëzimit do të shkruhet si mizori e papranueshme, si një njollë e zezë", tha Kryeministri Erdoan.

"Bashkësia ndërkombëtare, duke mbyllur njërin sy dhe duke bërë shurdh njërin vesh ndaj padrejtësive që bëhen prej 10 vjetësh në rajon, ka përgatitur terren për aplikimin me guxim e terrorit shtetëror", theksoi ai dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare.

Numri 1 i qeverisë së Turqisë përdori këto fjalë: "Mosmarrja parasysh e ngjarjeve të tilla që brejnë ndërgjegjen e njerëzimit, për më tepër mbështetja e tyre në mënyrë të fshehtë apo edhe të hapur, moszbatimi i asnjë sanksioni, moskërkimi i llogarisë ndaj autorëve të tyre; të gjitha këto, nga aspekti i paqes, qetësisë dhe stabilitetit të rajonit, mundësojnë lindjen e rezultateve të rrezikshme në ekstrem. Ftojmë të gjitha vendet e botës që, përballë këtyre politikave agresive dhe të jashtëligjshme, të shfaqin një qëndrim të vendosur dhe të palëkundur."

Pasi theksoi edhe se paqja në Lindjen e Mesme nuk ka për t'u arritur pa u hequr bllokada ndaj Gazës, Kryeministri Erdoan tërhoqi vëmendjen se ndryshimi i përbërjes demografike të Jerusalemit nuk do të jetë problem vetëm për myslimanët, por edhe për të krishterët./trt/start/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›