E Diel, 1 Nëntor 2026

Erdogan: Bota s`mund të qëndrojë spektatore përballë Sirisë

Përballë sulmeve të dhunshme në Aleppo dhe kërcënimeve të Assad se do të përdorë armët, bota nuk mund të qëndrojë spektatore, por duhet të reagojë me hapa konkretë”. Kështu është shprehur Kryeministri turk, Recep Tayip Erdogan në takimin që ka zhvilluar mbrëmjen e së premtes me kryeministrin britanik, David Cameron.
 

“Ka një fluks ushtarak të përqendruar në Aleppo dhe po ashtu deklarata të fundit për përdorim armësh në masë dhe ndaj këtyre nuk mund të qëndrojmë spektatorë apo vëzhgues”, është shprehur Erdogan. Ndërsa në Siri vazhdon të rritet tensioni në Aleppo, ku ndodhen afërsisht rreth 2.000 rebelë. Regjimi i Bashar al-Assad ka përqendruar forcat e ushtrisë së tij në këtë zonë, por po has në vështirësi.
 

Një ditë më parë, helikopterët sirianë bombarduan disa lagje të Aleppos, qyteti më i madh dhe kryeqendra tregtare e vendit, ndërkohë që qeveria po përgatit ushtrinë dhe mjetet e blinduara për një pushtim të mundshëm të qytetit. Aktivistët me bazë në Aleppo thanë se helikopterët përdorën mitralozë të rëndë kundër kryengritësve brenda dhe në rrethinat e qytetit.
 

Ata thanë se ka shumë zëra sipas të cilave Divizioni I katërt elitë i ushtrisë ka marrë urdhër nga vëllai i presidentit Bashar al-Assad, Maher, që të përgatiten për një ofensivë të madhe.
 

Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësime për një masakër të pritshme në Aleppo, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESKO dhe një nga qytetet më të famshëm në Lindjen e Mesme. Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut Navi Pillay tha se njoftime të pakonfirmuara nga kryeqytetit, Damask, flasin për vrasje pa gjyq të civilëve në rrethinat e atij qyteti. Ajo tha se kjo është "shenjë e keqe për popullin e Aleppos."

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›