E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdogan braktis panelin, Peres kërkon ndjesë

Davos - Atmosferë e tensionuar në Davos ku po diskutohej rreth çështjes së Gazës. Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan, i cili mori pjesë në panelin e titulluar: "Gaza, një model për Lindjen e Mesme", reagoi shumë ashpër ndaj fjalimit me tone të larta dhe duke kaluar çdo konvencion diplomatik, të Presidentit të Izraelit, Peres dhe ndaj duartrokitjeve që ky fjalim mori nga dëgjuesit. Peres, duke ju drejtuar Erdoganit, përdori edhe shprehje të tipit, "Nëse çdo darkë në Stamboll do të hidheshin 100 raketa, ju çdo të bënit?"

Erdogan, ka reaguar ndaj qëndrimit të Kryetarit të Seancës, i cili nuk i njohu të drejtën e përgjigjes dhe pasi ju pëgjigjë Peresit se "Ju dini mirë si të vrisni njerëz" vijoi më tej me një sërë kririkash duke deklaruar më në fund se "Davosi për mua ka mbaruar" u largua nga mbledhja.

Paneli kishte nisur me temë Gazën, por në një atmosferë të ngrohtë të qetë. Erdogan tha se me sanksionet e praktikuara, Gaza është kthyer në një burg të hapur, ku është përdorur forcë e disekuilibruar dhe ku vriten edhe fëmijë. Edhe panelistët e tjerë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Amr Musa, e mbështetën Erdoganin në ato që tha.

Kur u gjend në anën negative të tablosë së krijuar, Peres, duke ngritur zërin theksoi se shkaktari i kësaj tabloje ishte Hamasi duke shtuar se "Ne nuk kishim zgjidhje tjetër përballë sulmeve terroriste." Më pas duke lënë mënjanë diskrecionin politik Peres vuri në shënjestër të kritikave kryeministrin turk, Erdogan. Duke marrë për bazë të debatit një document të Hamasit të titulluar "deklaratë e themelimit të Hamasit", Peres citoi se "Nëse myslimanët nuk i fshijnë të gjithë çifutët nga faqja e dheut, atëherë nuk do të ketë shpëtim për botën." Dhe me tone të larta ju drejtua kryeministrit Erdogan duke e pyetur nëse"Ky është Hamasi për të cilin po flisnit?". Peres edhe më vonë ju kthye sërish Kryeministrit dhe ndërkohë që po fliste në lidhje me sulmet e Hamasit dhe operacionet e Gazës e kaloi kufirin e ngritjes së zërit dhe filloi të bërtiste. Ai u shpreh se "Çdo vend do të bënte të njëjtën gjë. Nëse në Stamboll do të hidheshin çdo darkë 10 ose 100 raketa ju çdo të bënit?"...

Erdogan, i cili që mbante qetësisht shënime nga fjalët e Peres , duke marrë sërish fjalën kërkoi të drejtën e përgjigjes, por kryetari i seancës nuk i dha të drejtën e fjalës. Erdogan u shpreh se : "I nderuar Peres, jeni më i moshuar se unë, por zërin e ngrini shumë, kjo është shenjë e ndjenjës së fajit. Zëri im nuk do të ngrihet aq shumë. Për sa i përket të vrarit, ju dini shumë mirë të vrisni. Unë e di mirë se si i keni goditur fëmijët në plazh... Dy kryeministra më kanë thënë disa fjalë të rëndësishme. Edhe nga kryeministrat tuaj ka të tillë që thonë se do të ndiheshin të lumtur nëse do të hynin në Palestinë majë tankeve.." më pas, Erdogan I cili braktisi seancën ndaj Gazës, theksoi se " Davos për mua ka mbaruar këtu."

Në dalje të mbledhjes Erdogan sqaroi se "Presidentit të Izraelit, Shimon Peresit, ju dhanë 25 minuta, kurse mua vetëm 12. Në një vend ku diskutohet pikërisht për një temë kaq e rëndësishme, atë nuk mund ta shkurtonin për gjysëm ore apo 35 minuta. Pas kësaj nuk do të marr më pjesë në Davos..."

Nga ana tjetër, ka qenë i menjëhershëm reagimi i presidentit izraelit, Peres. Ai i ka telefonuar kryeministrit turk dhe i ka këkruar ndjesë për ato që ndodhën gjatë panelit mbi çështjen e Gazës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›