E Diel, 1 Nëntor 2026

Erdogan paralajmëron Sirinë: Kujdes nga zemërimi i Turqisë

Kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, ka paralajmëruar Sirinë që të ketë kujdes nga zemërimi i Turqisë, pas rrëzimit të një avioni luftarak turk të premten dhe tha se ai ka urdhëruar forcat e tij të armatosura të reagojnë kundrejt çdo rreziku që u vjen kufijve të Turqisë nga Siria. Tensioni mes Turqisë dhe Sirisë gjatë javëve të fundit është rritur për shkak të incidenteve që kanë ndodhur jo vetëm me avionin që u rrëzua nga ushtria siriane të premten në brigjet mesdhetare, por gjatë të gjithë vijës kufitare turke, ku ushtarë sirianë kanë kaluar kufirin dhe kanë qëlluar në kampet e refugjatëve. Ndërsa të dielën autoritetet siriane kanë deklaruar se kanë ekzekutuar disa terroristë të infiltruar nga Turqia. Siria është përfshirë nga protestat prej rreth 16 muajsh, ku kërkohet rrëzimi nga pushteti i Presidentit Bashar Al Asad, por ditët e fundit po zhvillohen betejat më të ashpra në rrethinat e Damaskut. Qyteti është konsideruar prej shumë kohësh si bastion i Presidentit Asad. Deklarata e Erdogan vjen pas takimit të Këshillit të NATO-s, ku Turqia është anëtare, ku u vendos se aleanca qëndron në krah të Turqisë, por nuk do të kryejë një ndërhyrje ushtarake në Siri. Përgjigjja jonë e arsyeshme nuk duhet të kuptohet si dobësi, mënyrat tona jo agresive nuk do të thonë se ne jemi një qengj i butë, tha ai në një takim parlamentar. Të gjithë duhet ta dinë se zemërimi i Turqisë është po aq i fortë dhe shkatërrues, sa çështë edhe vlera e miqësisë së saj, shtoi ai. Vendet anëtare të NATO-s, të mbledhura nga Turqia në Bruksel, e dënuan sulmin e Sirisë ndaj avionit turk, ku humbën jetën dy pilotë. Turqia e ka mirëpritur Ushtrinë e Lirë Siriane, armatën e rebelëve në tokën e saj dhe ka sistemuar rreth 30 mijë refugjatë nga Siria, dhe ky numër pritet të rritet ende me vazhdimin e tensionit dhe luftimeve brenda këtij vendi. Ka raportime se rebelët lëvizin lirshëm në kufirin me Turqinë dhe ka pasur luftime aq afër kufirit, sa ushtria turke ka reaguar. Deri tani, përveç disa sanksioneve, komuniteti ndërkombëtar nuk ka marrë asnjë masë për konfliktin në Siri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›