Greqi, Samaras emëron ministrin e ri të Financave

Janis Sturnaras, ministri i ri grek i Financave
Kryeministri i ri grek, Antonis Samaras, ka zgjedhur ministrin e ri më të rëndësishëm të kabinetit të tij, atë të Financave pas dorëheqjes së Vaislis Rapanos për arsye shëndetësore. Emri i ri që do të drejtojë sektorin më në krizë të qeverisë greke, është ai i profesor Janis Sturnaras. Propozimi i Samaras u mirëprit nga aleatët e tij. Me vendim të Kryeministrit Antonis Samaras, ministër i Financave u caktua profesori i Universitetit të Athinës, z. Janis Sturnaras, njoftoi Kryeministria greke. Sturnaras, 56 vjeç, ka kryer studime pasuniversitare në Universitetin e Oksfordit, ka shërbyer si këshilltar special për Ministrinë e Ekonomisë (1986-1989), këshilltar special për Bankën e Greqisë (1989-1994), anëtar i Komitetit Ekonomik dhe Monetar të Bashkimit Europian (1994-2000) dhe President i Emporiki Bank. Ai është prej 23 vitesh profesor në Departamentin Ekonomik të Universitetit të Athinës. Sturnaras drejton Fondacionin për Studime Ekonomike dhe Industriale dhe ka drejtuar ministrinë e Zhvillimit në qeverinë e përkohshme të ish-kryeministrit Pikramenos. Mediat greke citojnë burime qeveritare, që thonë se Sturnaras ofron garanci se do të japë kontribut të çmuar për të shpëtuar ekonominë greke, e cila është zhytur në krizën më të thellë të saj. Sturnaras ka pranuar ofertën e Samaras dhe ishte i pranishëm në takimin e mbrëmshëm të mbajtur në shtëpinë e Kryeministrit Samaras, (nuk i lejohet nga mjeku të udhëtojë as me makinë), me aleatët e tij, kreun e PASOK Evangelos Venizelos dhe kryetarin e DIMAR, Fotis Kouvelis. Dorëheqja e ministrit të emëruar të Financave, Vasilis Rapanos, e ka vështirësuar edhe më shumë besimin në funksionimin e suksesshëm të Ministrisë, që tashmë do të drejtohet nga Sturnaras.
Leje për udhëtime
Kryeministri grek, Antonis Samaras, ka vendosur të kufizojë lëvizjet e ministrave të kabinetit të tij, duke i detyruar të marrin leje në rast udhëtimesh të gjata brenda dhe jashtë vendit. Samaras ka shkruar në urdhëresën e tij se qëllimi i kësaj nisme është të mos lërë ministritë pa drejtues, siç ka ndodhur në administratat e mëparshme.
Barroso
Pak orë para takimit të ministrave të Financave të katër vendeve me ekonomitë më të mëdha në eurozonës, presidenti i KE-së, Hose Manuel Barroso, tha se: Kjo krizë është kërcënimi më i madh i gjithçkaje kemi arritur në 60 vitet e fundit. Përballë këtij realiteti të zymtë, nuk mund të rrimë duarkryq. Nevojitet një kapërcim i madh përpara. Barroso shtoi se për një union monetar dhe ekonomik të vërtetë nevojitet një bashkim bankar dhe fiskal, si dhe hapa të mëtejshëm drejt një bashkimi politik.