Kufizimi i mediave, qeveria kosovare nis punë për ndryshimin e Kodit
Qeveria e Kosovës nisi dje zyrtarisht procedurat e ndryshimit të Kodit Penal, për të eliminuar prej tij nenet 37, 38 dhe 39 që kanë ngritur një debat të madh në politikën dhe veprimtarinë mediatike në Kosovë dhe kanë detyruar dorëheqjen e zv.kryeminsitrit e njëkohësisht ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Nisma më e re e qeverisë pasoi vendimin e Kuvendit të Kosovës për rrëzimin e kërkesës së Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për heqjen e neneve të cilësuara si problematike që kanë të bëjnë me përgjegjësitë penale të mediave dhe gazetarëve. Kryeministri Thaçi, pas miratimit të Kodit të ri Penal bashkë me nenet e përfolura si shkelëse të praktikave demokratike, ka deklaruar se ndihej i turpëruar me vendimin e Kuvendit. Ndryshimi dhe plotësimi i Kodit Penal po hyn në procedurat e rregullta, tha për Koha Ditore deputeti Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit për Amendamentin e Kushtetutës së Kosovës. Një çështje që kërkon interpretime shtesë juridike, mbetet ajo e procedimit të ndryshimeve në Kuvend, duke marrë parasysh se Kodi i ri Penal hyn në fuqi në janar të vitit 2013. Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, përmes Avokatit të Popullit po kryen procedurat për shqyrtimin e Kodit Penal në Gjykatën Kushtetuese, duke besuar se nenet 37, 38 por edhe ai 39 janë në kundërshtim me Kushtetutën. Kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti, tha se kërkesat e vetme të gazetarëve janë që nenet të hiqen nga Kodi.