Ergys Kaçe merr pasaportë greke
Ergys Kaçe pritet të jetë futbollisti i radhës shqiptar që mund të pajiset me pasaportë greke dhe të luajë për ekipet përfaqësuese të shtetit helen. Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke, të cilat i kanë dhënë një hapësirë të konsiderueshme nisjes së proceduarave për nënshtetësi nga ana e mesfushorit shqiptar. Kaçe ka lindur më 8 korrik 1993 në Korçë, por është rritur në akademinë e futbollit të PAOK-ut, skuadër me të cilën luan edhe aktualisht (vjet u dha në huazim te skuadra e Anagenisi Epanomi në kategoritë inferiore). 19-vjeçari, sipas mediave helene, ka refuzuar të luajë për kombëtaren Shpresa të Shqipërisë në ndeshjen kundër Moldavisë, duke mos dhënë asnjë arsye zyrtare se përse e mori këtë vendim. Sipas informacioneve të tri ditëve më parë (PAOK24.com), Kaçe ishte i mërzitur me faktin që nuk u thirr në Kombëtaren e madhe të Shqipërisë, por në ekipin Shpresa, kështu që vendosi të merrte vendimin për të mos e përfaqësuar Shqipërinë, duke pritur të luajë për Greqinë. Sakaq, dje uebsajti gazzetta.gr tregonte nisjen e proceduarave për pajisje me pasaportë greke dhe më pas ai do të ketë mundësinë të luajë për Shpresat e Greqisë. Kujtojmë që Kaçe ka luajtur katër ndeshje edhe me ekipin tonë Shpresa në turneun e Sllovenisë vitin e shkuar, nga 23-30 mars 2011. Por, sipas informacioneve, këto takime nuk kanë qenë zyrtare dhe nuk njihen nga FIFA e UEFA, çka do të thotë se nëse ai do të grumbullohet dhe do pranojë të luajë për Greqinë, mund ta bëjë këtë pa asnjë problem. Një gjë të tillë e konfirmon edhe shefi i zyrës së talenteve në FSHF, Redi Jupi. Kemi dy vjet që i rrimë nga pas Kaçes. E ftuam në ekipin Shpresa, edhe pse duhej të kalonte fillimisht nga U-19-ta. E ftuam edhe në ndeshjet e fundit zyrtare, por ai nuk pranoi. Normalisht ne nuk mund të detyrojmë askënd që të luajë për kombin e tij, dhe nëse ai do dojë që të luajë për Greqinë, askush nuk e ndalon. Ne si Federatë, ju siguroj, jemi koshientë që e kemi bërë punën tonë, por gjithçka mbetet në dorë të lojtarit, – ka sqaruar Jupi.
Ergys Kaçe
Datëlindja: 08.07.1993; Vendlindja: Korçë, Shqipëri; Gjatësia: 1.61 m; Pozicioni: mesfushor
Karriera – 20052012: PAOK, Greqi; 20112012: Anagenisi Epanomi (huazim)
Me U-21 të Shqipërisë: 4 ndeshje, 0 gola (jo zyrtare)