Erion Braçe: Sali Berisha po i vë zjarrin Shqipërisë!
Nga Erion Braçe
Kryeministri i shporrur me një urrejtje masive popullore po ndryshon rezultatin e zgjedhjeve në tavolinë, njësoj siç ndryshoi rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë! 24 ditë pas dorëzimit të kutive me fletët e votimit në magazinat e tij e që administrohen nga ai: KQZ e Partisë Demokratike po ndryshon rezultatin e zgjedhjeve! Më qartë: pas 24 ditësh në bodrumet e tij, po gjen fletët e votimit që nuk i kanë gjetur 4 numërues e 7 komisionerë duke përfshirë dhe komisionerët dhe numëruesit e partisë e koalicionit të tij! Ky është krim. Po merret si shembull Lezha dhe po dhunohet opinioni publik që të harrojë seç ka ndodhur në Lezhë; Në Lezhë, para ditës së zgjedhjeve: janë rrëmbyer e rrahur komisionerët e opozitës; Në Lezhë ditën e zgjedhjeve: janë vrarë njerëz të opozitës; qendrat e votimit për orë të tëra kanë qëndruar pa komisionerët e opozitës; në qendrat e votimit janë kthyer mbrapsht të kërcënuar me armë votues të opozitës; në qendrat e votimit kanë votuar masivisht votues që nuk kanë shkelur në Shqipëri prej vitesh, as atë ditë nuk kanë qenë! Etj, etj. Në Lezhë ka ndodhur krim dhe krimi nga dhunimi barbar deri në vrasje ka ndodhur ndaj opozitës! KQZ me katër njerëz, të gjithë të Partisë së Sali Berishës, përsëritës siç Osmani, Shtjefni e Zguri: po kryen krim! Po ndryshon qartësisht vullnetin e zgjedhësve! Ky krim po shkatërron zgjedhjet dhe po e çon vendin drejt një konflikti që sdo ketë fund!