Erion Braçe falet tek milionerët e Partisë Socialiste
Deputeti i Beratit ka harruar akuzat e ashpra ndaj deputetit tjetër të këtij qarku, Fidel Ylli, duke u ulur krah tij në një takim me bazën
Erion Braçe dhe Fidel Ylli, të ulur krah njëri-tjetrit, në një takim të parëndësishëm në bazën e Beratit, nuk tregonte thjesht pajtimin e dy deputetëve të një partie që janë akuzuar e sharë në distancë dhe kanë punuar kundër njëri-tjetrit, duke e ndarë bazën e Beratit në dy pjesë. Nuk tregonte thjesht pajtimin e dy individëve, por fatkeqësisht, tregonte fundin e një koncepti për të majtën, për përfaqësimin parlamentar të një partie. Nëse Erion Braçe kishte tërhequr vëmendje dhe simpati që prej shumë kohësh në radhët e PS-së, kishte të bënte pikërisht me atë pikëpamje që ai mbronte fort dhe me zë të lartë në forumet e partisë, kundërshtimi ndaj uzurpimit të partisë nga milionerët, nga biznesmenët e ardhur me bekimin e Ramës. Megjithëse dihej se ai kishte një inat personal me Yllin, i njohur si biznesmen para se të hynte në PS një vit më parë, Braçe në fakt, duke iu drejtuar atij, fliste për një fenomen në këtë parti të majtë, për një kontradiktë të hapur të asaj çfarë përfaqëson kjo parti tek elektorati i majtë dhe përfaqësuesve ligjorë të saj në Kuvend. Askush më mirë se Braçe, një socialist i vjetër dhe siç rezultoi me rrënjë të forta, duke u rezistuar të gjitha stuhive dhe përçarjeve, nuk mund ta kuptonte këtë kontradiktë. Gazeta standard nuk arriti të siguronte detaje të këtij pajtimi Braçe-Ylli, nëse ishte kryesocialisti Rama negociator i pajtimit apo një marrëveshje që i nxirrte dy palët fitues, por ajo që duket nga ky pajtim, është tashmë legalizimi në PS i kokave me brilantinë. Me këtë etiketë të përdorur nga vetë Braçe jo shumë herët, por në kongresin e fundit më 18 prill 2010, duket se tashmë e kanë përfituar amnistinë edhe miqtë e tjerë të Yllit, Sadri Abazi, Artan Gaçi etj. Socialistët tradicionalë që luftojnë dhe besojnë për vlerat e majta, siç ishte Braçe deri dje, do tu duhet tu lënë rrugën sipërmarrësve, biznesmenëve dhe makinave 60 mijë euroshe. Faljen e morën. Tashmë ata janë në shtëpinë e tyre.
Një sherr individësh apo një përplasje botëkuptimesh?
Në një fjalim të ndjerë dhe të ndërtuar me kujdes në çdo argument, Erion Braçe bëri që të mbahej fryma në kongresin e 18 prillit. Shumica nuk e prisnin nga Erioni dhe shumica po gjenin tek ai mendimet e tyre të pashprehura. Duke kërkuar që PS të kishte një identitet politik dhe të mos hallakatej sa majtas, sa djathtas, Braçe foli për konceptin e një politikani përfaqësues që sigurisht nuk kishte të bënte asgjë me kolegët e tij sipërmarrës e biznesmenë në këtë parti. Një program i mirë kuron edhe identitetin e politikanit përfaqësues, krizën e identitetit në përfaqësim ne po e vuajmë. Njerëzit besojnë në ofertën politike, por kultura tradicionale e ndërvar besimin edhe te përfaqësuesi politik. Një kokë me brilantinë, duarzbukuruar me unaza diamanti e ora 10 mijë euro, një makinë 50-60 mijë euro, një shtëpi 200 mijë euro, më tej pallate 5-6 milionë euro, bërë pa djersën e ballit, por me lehtësinë e ndereve dhe favoreve politike e administrative, paratë e korrupsionit, nuk janë sende, por mënyrë jetese. Ajo përfaqëson interesin, por jo kauzën, aq më pak punëtorët, të papunët, bujqit, mjekët, mësuesit, shërbëtorët e shtetit, studentët, emigrantët... Aksioma se duhen në krye njerëz të pasur, sepse nuk vjedhin, doli e pavërtetë dhe banale! Ndaj na duhet një qasje e re etike në thelb të identitetit tonë përfaqësues!, - do të thoshte deputeti veteran i qarkut të Beratit. Dhe ky konstatim i tij erdhi natyrisht pas një sherri të gjatë dhe të fortë mes tij dhe Yllit, edhe pse shumë pak nga kjo përplasje u bë publike. Ndërsa Ylli kishte qenë më i rezervuar në komentet e tij, duke thënë se e gjithë lufta bëhej për faktin se kryetari i degës, Pelivan Shatri, ishte në krahun e tij dhe jo të Braçes. Zoti Braçe është një deputet me kontribute dhe luftë të madhe politike, por problemet që ai ka me qarkun, të shkojë e ti zgjidhë në qark me Pelivanin dhe jo të dalë në media, sepse kjo do të na lërë gjatë në opozitë, po u morëm me njëri-tjetrin. E keqja jonë e madhe është qeverisja aktuale e vendit, por të dalësh dhe ti biesh tëndit në media, unë këtë nuk e shoh të moralshme. Unë nuk jam për luftë brenda llojit, - qe shprehur më herët Ylli.