E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-presidentët: Kuvendi keqkupton kompetencat

Moisiu e Meidani shprehen se Kuvendi nëpërmjet dhënies së pëlqimit kërkon të kontrollojë gjykatat

Dy ish-presidentët, Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani, pranojnë se në vendin tonë e drejta kushtetuese e Kuvendit për të dhënë pëlqimin për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë është keqkuptuar prej legjislativit. Duke folur dje në tryezën e organizuar prej tyre, dy ish-numrat një të shtetit kanë vlerësuar se Kuvendi ka marrë rolin që si takon, ndërsa presidentit i dhënë një rol propozues dhe jo emërues në rastin e anëtarëve të këtyre dy gjykatave. Sipas Moisiut, gjatë tranzicionit shqiptar shpesh është vërejtur tendenca e politikës për të pasur njerëzit e tyre në gjykatat e shkallëve të ndryshme, një tendencë që nuk ka lënë pa kapur as dy gjykatat në fjalë.


"Është vërejtur tendenca e politikës për të pasur njerëzit e tyre në gjykatat e shkallëve të ndryshme, sidomos kjo më tepër ka ndodhur dhe po ndodh në gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartën, ku dekretet për anëtarët e të cilave, sipas kushtetutës sonë kalojnë për pëlqim në Kuvendin e Shqipërisë. Çuditërisht, kjo klauzolë e kushtetutës nga kuvendi ynë është kuptuar si e drejtë e politikës për seleksionim politik të kandidaturave, duke e kthyer nga kompetencë e pëlqimit profesional në miratim thelbësor. Pra, emërimi i tyre, megjithëse është kompetencë thelbësore e Presidentit të Republikës, tek ne shpesh ka rezultuar sikur është një propozim dhe jo emërim", - tha ish-presidenti Moisiu.


Sipas tij, është pikërisht ky keqinterpretim, ai që i ka dhënë të zgjedhurve në parlament të drejtën të vënë edhe veton mbi emërimet e presidentit, pa vlerësuar kriteret ligjore. "Ky konfrontim i kompetencave kushtetuese ka bërë që politika e radhës të ketë veton mbi emërimet në dy institucionet e rëndësishme kushtetuese, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë", - shtoi Moisiu. Sipas tij, parlamenti duhet të merret me kriteret e kandidatëve, siç përcakton kushtetuta dhe ligjet organike, dhe të veprojë duke gjykuar siç ka theksuar ai me argumente politike. "Ajo (vota parlamentare) nuk vlerëson profesionalizmin dhe integritetin e kandidatit, por bindjet e tij të hershme apo miqësitë e tij personale politike.


Kjo mënyrë veprimi ka bërë që në institucionin kryesor përfaqësues të marrë udhë fenomeni i korruptimit politik, si një nga plagët më të mëdha të sistemit gjyqësor dhe kushtetues në vend. Mesazhi është i qartë: kush kërkon karrierë duhet të ketë në radhë të parë mbështetje partiake të mazhorancave të radhës, duke e lënë në hije kriterin profesional dhe integritetin", - tha Moisiu. Ai ka bërë të ditur se shtysa kryesore për këtë tryezë ishte fakti i mos dhënies së pëlqimit nga kuvendi të Vangjel Kostës, ku për refuzimin e tij nuk u dha asnjë shpjegim kushtetues. "Duket qartë se Kuvendi ka marrë një vendim politik e partiak, dhe jo një vlerësim për profesionalizëm dhe integritet të gjyqtarit", - u shpreh Moisiu.


Ndërsa ish-presidenti tjetër, Rexhep Mejdani, në fjalën e vet është përqendruar më shumë tek trajtimi kushtetues i nevojës së shmangies së proceseve paralele të emërimit mes Kuvendit dhe Presidentit. Ish-kryetari i Gjykatës së Lartë Thimio Konti, duke ndërhyrë në këtë tryezë ka theksuar se është presidenti ai që ka rolin kryesor në emërimet e gjyqtarëve të Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›