E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Rrëzimi i Kostës nga Kuvendi, i çuditshëm

Ambasadorët shprehin shqetësimin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë

"Të gjithë jemi të trazuar nga rrëzimi prej parlamentit i një kandidati shumë të shquar dhe shumë të kualifikuar, Z. Vangjel Kosta"


Rrëzimi nga Kuvendi i kandidaturës së juristit Vangjel Kosta mbi bazën e një kriteri të pashkruar, siç është ai politik, përbën për trupin diplomatik në Tiranë, si dhe për figura të njohura të jetës politike shqiptare, rastin më domethënës të vlerësimit të bindjeve dhe jo të aftësive profesionale që duhet të plotësojnë kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Të mbledhur në një tryezë të dytë brenda tre muajve me temë "Roli dhe Rëndësia e Institucioneve Kushtetuese në Demokracinë Parlamentare", të organizuar nga ish-presidenti Alfred Moisiu, ambasadorë, ish-presidentë, konstitucionalistë dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile kanë vlerësuar deri të çuditshme vendimmarrjen e fundit të legjislativit për kandidaturën e Vangjel Kostës, ndërsa kanë evidentuar keqpërdorimin e kompetencave që Kushtetuta i jep Kuvendit në procesin e dhënies së pëlqimit të emërimeve në gjykata.


Withers
Në tryezën e rrumbullakët ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ambasadori Xhohn Withers, i cili është zhveshur nga gjuha e tij diplomatike dhe është treguar i drejtpërdrejtë kur ka vlerësuar si aspak transparent procesin vendimmarrës të Kuvendit për tre dekretet e kreut të shtetit për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe në veçanti për sa i përket rastit të kandidaturës së Kostës. Duke folur si një shtetas amerikan, ai ka theksuar se për shtetin me demokraci më të fortë botë është e pakuptueshme që gjykimi kandidaturave për në gjykata të bëhet mbi kritere të pashkruara, ndërsa ato që janë të shkruara nuk zbatohen ose nuk merren parasysh. Sipas tij, rasti i Vangjel Kostës është më kuptimploti për të mësuar sesi funksionon mekanizmi i përzgjedhjes dhe dhënies së pëlqimit të kandidaturave për në gjykata.

"Pavarësisht mbledhjeve tona të shumta, përfshi ato të sponsorizuara nga dy zotërinjtë pranë meje, të gjithë jemi të shqetësuar, të gjithë jemi të trazuar nga rrëzimi prej parlamentit i një kandidati shumë të shquar dhe shumë të kualifikuar, Z. Vangjel Kosta. Mënyra dhe mungesa e transparencës në rrugën se si u arrit ky vendim është i çuditshëm", - tha ambasadori Withers. Përfaqësuesi më i lartë i SHBA-së në vendin tonë nuk ka nguruar të theksoj se rrëzimi i Kostës u bë mbi bazën e ligjit të dosjeve, që tashmë është rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, duke marrë parasysh përvojën e gjyqtarit gjatë sistemit të mëparshëm komunistë, pavarësisht mospjesëmarrjes në asnjë çështje politike. "Ai (vendimi) duket sikur është shqyrtuar në bazë të kritereve të përvijuara në një projektligj lustracioni, i cili u hodh poshtë si nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ashtu edhe nga një opinion këshillues i Komisionit të Venecias.

Kjo nuk është transparencë dhe ngre imazhin e llojit të ndikimit politik mbi gjykatat që nuk duhet të ndodhë në një shoqëri demokratike", - tha Withers. Një fenomen i tillë ka bërë të ditur ambasadori amerikan, ka shqetësuar partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, të cilët nuk mund ta konceptojnë dot se në emërimin e gjyqtarëve nuk merret mbi bazë kriteri profesional, por ai politik. "Jemi mbledhur të gjithë sot këtu, sepse besoj se ndajmë një shqetësim të përbashkët lidhur me emërimet për anëtarët e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Mes shumë institucioneve që përbëjnë gjyqësorin dhe pavarësinë e të cilave duhet ta garantojmë, nuk ka më të rëndësishme se sa këto dy organe.

Ato janë institucione jetësore dhe nëse ato nuk funksionojnë në mënyrën e pavarur dhe autonome që duhet, në një shoqëri të qeverisur nga sundimi i ligjit, demokracia themelore bëhet e vështirë", - shtoi ambasadori amerikan, ndërsa ka uruar që kjo tryezë të shërbej që fenomene të tilla të mos përsëriten më dhe procesi i emërimeve të reja të jetë sa më transparent.

Bosch
Pjesë e tryezës ka qenë edhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, i cili pavarësisht se është përpjekur të ruajë "kostumin e tij diplomatik" është shprehur në mënyrë të qartë se e drejta e përzgjedhjes i takon kreut të shtetit, ndërsa Kuvendit ka detyrimin që të vlerësojë vetëm kriteret ligjore profesionale dhe asgjë më shumë. "E drejta e përzgjedhjes i takon presidentit dhe kur ai zgjedh parlamenti shikon vetëm kriteret profesionale. Në këtë rast kriteri politik nuk mund të luaj asnjë rol. Kandidaturat për në Gjykatën e Lartë duket se i plotësojnë kriteret ndaj Kuvendit i mbetet vetëm t'i votojë", - tha ambasadori Bosch. Thuajse në të njëjtën linjë vlerësimi ka qenë edhe ambasadorja britanike Fiona McIlwham, e cila ka shprehur shqetësimin e vendit që përfaqëson për mënyrën sesi vepron Kuvendi në Shqipëri për emërimet kryesisht në sistemin gjyqësor. "Një sistem i pavarur gjyqësor është një nga gurëkyçët e një shteti demokratik dhe një kërkesë e Bashkimit Europian. Është jetësore që procesi të rrisë pavarësinë, integritetin, profesionalizmin e gjyqësorit dhe gjykatat të kenë besimin e duhur, sidomos nga opinioni publik në Shqipëri. Është e nevojshme që zbatimi i Ligjit të bëhet njësoj për të gjithë dhe të mos ndikohet nga interesat politike. Ne jemi të shqetësuar për këtë proces ndaj diskutimi i kësaj tryeze duhet të hedh dritë për të ardhmen", - tha ambasadorja britanike Fiona McIlwham.

Xhohn Withers:
"Jemi mbledhur të gjithë sot këtu, sepse besoj se ndajmë një shqetësim të përbashkët lidhur me emërimet për anëtarët e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Ato janë institucione jetësore dhe nëse ato nuk funksionojnë në mënyrën e pavarur dhe autonome që duhet, në një shoqëri të qeverisur nga sundimi i ligjit, demokracia themelore bëhet e vështirë"

Robert Bosch:
"Unë për vete kam begraund politike dhe jo juridik, por do të thosha se e drejta e përzgjedhjes i takon presidentit dhe kur ai zgjedh parlamenti shikon vetëm kriteret profesionale. Në këtë rast kriteri politikë nuk mund të luaj asnjë rol. Kandidaturat për në Gjykatën e Lartë duket se i plotësojnë kriteret ndaj Kuvendit i mbetet vetëm t'i votojë"

Fiona McIlwham:
"Një sistem i pavarur gjyqësor është një nga gurëkyçët e një shteti demokratik dhe një kërkesë e Bashkimit Europian. Është jetësore që procesi të rrisë pavarësinë, integritetin, profesionalizmin e gjyqësorit dhe gjykatat të kenë besimin e duhur, sidomos nga opinioni publik në Shqipëri. Është e nevojshme që zbatimi i Ligjit të bëhet njësoj për të gjithë dhe të mos ndikohet nga interesat politike. Ne jemi të shqetësuar për këtë proces, ndaj diskutimi i kësaj tryeze duhet të hedh dritë për të ardhmen"

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›