E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erion Veliaj dhe Vangjel Dule, binomi i dëshpërimit

Askush nuk e kishte menduar se pjesa e mbetur e PBDNJ nën drejtimin e Vangjel Dules do të bëhej e njëjtë me G 99 e Erion Velisë. Askush nuk di të sqarojë se si aspiratat e një partie që pretendon se ka monopolin e minoritarëve grekë do të njësohej me kreun e G 99 Erion Veliaj, i cili kohët e fundit ka ndërmarrë një fushatë denigruese mbi nismat qeveritare që shkojnë në favor të minoritetit sic është përfshirja në regjistrimin e popullsisë të deklarimit të etnisë dhe fesë, apo të marrëveshjeve të ndryshme qoftë mbi varrezat e ushtarëve grekë të rënë në tokën shqiptare apo marrëveshjen për shelfin kontinental. Dëshpërim i madh i z. Dule, i cili nuk u begenis as nga z. Rama në mbledhjen e tij më të fundit e që presupozohej të ishte me rëndësi për PBDNJ. Ndërkaq pjestarë të rëndësishëm që kanë qëndruar në krah të z. Dule kohët e fundit si z Solis apo edhe të tjerë kanë braktisur Dulen në marrëzinë e tij të shkrirjes së PBDNJ-së. Humbja e e thellë në minoritet e Vangjel Dules e ka lënë këtë të fundit dhe mbështetësit e tij në një pozicion aspak komod dhe në opozitë të gjatë. Duke qenë se më shumë se parimet, njerëzit rreth Dules çmojnë vlerat materiale kanë nxituar të gjithë në fakt ta braktisin dhe në sallën e takimit të para pak ditëve ka mbetur vetëm me Erion Velinë. Një rast ku i pashembullt në historinë e Partisë së të Drejtave të Njeriut që është e regjistruar si forcë politike shqiptare. Tashmë edhe autoritetet diplomatike greke të akredituara në Shqipëri apo edhe Kryepeshkopata gjithnjë e më shumë i drejtohen për bashkëpunim direkt përfaqësuesit të minoritetit në qeverinë “Berisha”, i cili ruan gjithnjë balancat e vyera në hapësirën e minoritetit, duke vendosur autoritetin e vet të padiskutueshëm. Përballë këtij realiteti Dule ka zgjedhur Veliajn, një kryetar të një fondacioni fitimprurës në thelb siç është G 99, që me donacionet e mekanizmave jo fort transparente në Shqipëri u katapultua në periferinë e politikës së majtë shqiptare me shpresën e përfaqësimit dhe thithjes së të rinjve pranë filtrave të PS-së. Sigurisht që dështimi i tij me moszgjedhjen në Parlament ishte shuplaka më e merituar që i dhanë njerëzit për inkoherencën e sjelljeve politike dhe kundërvënien e kushtëzuar politike ndaj z. Berisha apo më parë edhe ndaj z. Nano. Pra Dule dhe Veliaj mbeten së fundi sëbashku dhe të kapur dorëpërdore kërkojnë të përballojnë fatin e dështimit politik. Ky pakt amoral bëhet absolutisht i pavlefshëm dhe vetëm sa ngatërron minoritetin që po bashkohet gjithnjë e më shumë rreth idesë së ndryshimit të përfaqësimit të vet politik duke krijuar edhe mekanizma të rinj demokratikë që do të thyenin në mënyrë pragmatiste aleancën e imoralitetit mes Dules dhe Veliajt apo mes këtyre të dyve dhe Bollanos. çfarë e lidh në fakt Erion Veliajn dhe Vangjel Dulen? Në një sërë analizash të mëvonshme do të mund të përgjigjemi me ekzaktësi rreth daljes së përbashkët në publik të “Burrit të Qamiles” dhe “burrit” të PBDNJ-së, por për momentin ky bashkim i shanseve të barabarta jep vetëm një mesazh: fundin politik dhe pensionin e parakohshëm - por të merituar - të Dules së Bollanos dhe Veliajt në skenën shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›