E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erioni: Jona për mua thuajse nuk ekziston

Teksa janë ulur të hanë drekë, Klodi ka provokuar një debat të fortë. Ai ka pyetur Jetmirin dhe Erionin se si e shihnin prezencën e Jonës brenda shtëpisë. Erioni ka thënë se për të është njësoj sikur të mos ishte dhe kjo ka shkaktuar një bisedë që ka përfshirë më pas të gjithë banorët

Debatet kanë ndjekur njëra-tjetrën në shtëpinë e “Big Brother”. Kryesisht ka qenë Erioni ai që ka ndezur diskutimet e më pas edhe banorët e tjerë. Ai ka debatuar me Jonën, me Seldin dhe për shkak se Klodi ka mbrojtur Erionin gjatë bisedave, Domenika ka filluar të ftohet në raport me Klodin.

Erioni dhe Jetmiri diskutojnë për banorët

Jetmiri dhe Erioni qëndrojnë në kopsht, duke biseduar dhe Erioni shprehet se po vë re që banorët komunikojnë të gjithë me njëri-tjetrin, paçka se çfarë mendojnë për ta. Ai shton se disa nga banorët e shikojnë “sikur u ka ngrënë bukën”. Erioni shprehet se nuk e di se çfarë ka Domenika me të, pasi e shikon si me inat dhe Jetmiri përgjigjet se Erioni është shoku i Jetmirit dhe si i tillë, ajo nuk e ka qejf. Jetmiri thotë se ata janë në një lojë dhe të gjithë do të ndjekin linjën vetjake që kanë zgjedhur të bëjnë, por e rëndësishme është që t’u pëlqejnë njerëzve jashtë që i votojnë. Jetmiri shton se ai ka thënë gjithmonë të vërtetën, madje ka pohuar dhe gjatë spektaklit që ka qenë i dehur dhe nuk ka qenë i vetëdijshëm për fjalët që ka thënë, e kjo nuk i ka ulur asnjë pikë. Erioni shprehet se të gjithë bëjnë rolin e personave shembullorë aty dhe Jetmiri shton se asnjëri nuk është i vërtetë.

Erioni: Jona për mua nuk ekziston

Banorët janë duke ngrënë drekë, por Klodi provokon një debat, duke ngacmuar me fjalë Jetmirin dhe Erionin. Klodi pyet së pari Jetmirin se çfarë do të thotë prezenca e Jonës për të në shtëpi dhe ai përgjigjet se është një mënyrë e mirë për të kaluar kohën, ndërsa Erioni shprehet se prezenca e Jonës për të nuk do të thotë asgjë, si të jetë e si të mos jetë. Jona përgjigjet se këto fjalë janë injoruese, por ai sqarohet se ky është mendimi i tij. Jona thotë se nuk pretendon që ta duan të gjithë, por i bën përshtypje se nga buron gjithë ky mllef e urrejtje ndaj saj. Erioni thotë se për Jonën nuk ka ndonjë simpati të veçantë. Mandi ndërhyn dhe i thotë Erionit se të gjithë banorët duhen respektuar dhe Erioni përgjigjet se ai nuk po tregon mosrespekt ndaj Jonës, por ajo kundërshton dhe shprehet se ai këtë po bën, pasi kjo do të thotë se ajo është veç një hije për Erionin në shtëpi. Ndërkohë që Mandi dhe Erioni debatojnë lidhur me faktin që Erioni e shprehu mendimin e tij, Jetmiri shprehet se Jona duhet ta falënderojë Erionin për sinqeritetin.

Domenika: Nuk dua t’i jap rëndësi Mirit

Domenika dhe Klodi dalin në kopsht, por nuk bashkohen me Erionin, Mirin dhe Hakiun, ndërsa të tjerët fillojnë të zgjohen nga gjumi. Klodi shikon tre djemtë që po bisedojnë e qeshin dhe i komenton ata. “Shyqyr që po qeshin”, shprehet ai, ndërsa Domenika qëndron indiferente dhe nuk shpreh asgjë. Të dy rrinë të heshtur për disa çaste. Klodi thyen heshtjen dhe pyet Domenikën nëse njeh ndonjë gjë nga e kaluara e Mirit. Domenika mohon dhe kur Klodi insiston pak, ajo thotë se di vetëm që Miri ka emigruar i ri dhe e ka përballuar vetë jetën. Klodi ia kthen se edhe ai kaq di për të, ndërsa Domenika shton se Miri kishte mundësi t’i tregonte më shumë gjatë kohës që u afruan dhe se ai duhet ta vlerësojë faktin që ajo iu hap për jetën e saj. Klodi i kthehet edhe njëherë debatit të klipit të spektaklit, por Domenika thotë se Miri kërkon vetëm vëmendje dhe nuk do ia japë këtë kënaqësi atij që të interesohet për këtë çështje.

Banorët do luajnë një film shqiptar

Mandi diskuton me banorët e tjerë për filmin që do të realizojnë në shtëpi vetë banorët. Ai tregon se ka mbledhur një pjesë të mirë të batutave të një filmi shqiptar, të cilën do ta realizojnë një nga këto ditë, por fillimisht duhet të merren me provat. Mandi u tregon disa prej banorëve se cilët personazhe do luajnë dhe u kujton disa nga batutat kryesore të filmit. Ata duken entuziastë dhe të gatshëm për ta realizuar këtë film. Më pas, djemtë fillojnë të luajnë volejboll, ndërsa të tjerët shohin ndeshjet.

Erioni, nën tensionin e nominimit

Erioni ka dalë këtë javë në nominim, pasi kishte shumë javë qëndrimi në shtëpi që nuk nominohej. Jetmiri i thotë se i duket sikur Erioni është vënë nën trysni dhe nën presion duke u tensionuar shpesh këtë javë. Ai e pranon këtë fakt dhe thotë se është i tensionuar, sepse këtë javë, përveçse është në nominim, është kapur me fjalë me të gjithë. Ai është vërtet i mërzitur dhe Kika me Jetmirin e këshillojnë që të mos nervozohet nga Seldi dhe Jona, por të mundohet që të veprojë me qetësi pa pasur nevojë të acarohet. Erioni thotë se kur konfrontohet me ndonjërin prej banorëve e vuan edhe vetë nervozizmin. Të dy djemtë thonë në mënyrë të tërthortë se Seldi nxitet nga dikush tjetër.

Lidhja Erion-Bertina, në pikëpyetje

Ndërsa banorët diskutojnë, Klodi i thotë Seldit se ai e kishte nisur që javën e kaluar debatin me Erionin, duke i thënë se që kur iku Bertina, Erioni u fut në krevatin e Oltës. Klodi sërish del në mbrojtje të Erionit, duke i thënë se kur ka shkuar te krevati i Oltës ai ka qenë prezent dhe nuk e sheh si diçka të keqe në këtë mes. Seldi i thotë se ai e kishte parë si mungesë respekti nga ana e Erionit për Bertinën. Klodi e kundërshton duke i thënë se edhe me Domin ndodhi e njëjta gjë kur mes tyre hyri Enxhi dhe Seldi shkoi të rrinte me Enxhin pa e vrarë mendjen se Domi, vajza që ai thotë se e dashuron, ishte vërtet e prekur nga kjo. Seldi thotë se nuk do të diskutojë më me të kundër Erionit, sepse po e vërteton që Klodi e ka pikë të dobët Erionin. Por Klodi i thotë se marrëdhënia e tyre kështu ka qenë edhe më parë. E ndërsa ata diskutojnë për raportin e Erionit me Bertinën, ai i dëgjon që jashtë dhe shkon aty e i kërkon Seldit që të sqarojë këtë pikë me të, sepse çështja e Bertinës e lëndon shumë. Banorët e ftojnë të ulet me ta dhe i kërkojnë atij dhe Seldit që të flasin qetësisht, pa kaluar në debate. Erioni i thotë Seldit se ai ka ndenjur me Oltën edhe kur Bertina ishte në shtëpi, por pas daljes së saj kishte më shumë kohë të lirë. Këtë herë Erioni konfirmon se lidhja e tij me Bertinën ka ngelur në pikëpyetje. Erioni thotë se Bertina para se të dilte i kishte thënë që nëse do të rrinte do ta shihte si banor të ri dhe nëse do të dilte nuk e dinte se si mund të vazhdonte më tej raporti i tyre. Ai thotë se me Bertinën e ka lënë që t’i sqarojnë gjërat jashtë, ndërsa Oltën e ka pasur gjithmonë shoqe dhe nuk e ka ngacmuar asnjëherë në asnjë kuptim. Ai i thotë Seldit se nuk ka pse t’i shohë gjërat me këtë sy. Pas kësaj ata sqarohen për debatet e mëparshme.

Erioni thyen miqësinë Domi-Klodi

Gjatë gjithë kohës që debatonin, Klodi mbante anën e Erionit. Shpeshherë ai i kërkoi Domenikës që ajo të ndërhynte në debat dhe të konfirmonte atë që ai thoshte. Ndër të tjera Klodi nxori disa “sekrete” të Seldit dhe Domenikës. Kur hyri Enxhi në shtëpi banorët e tjerë, përveç tij, nuk e kuptuan se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë me lidhjen e Seldit dhe Domenikës. Klodi tha gjatë debateve se Seldi dhe Domenika ishin grindur për shkak të Enxhit. Kjo nuk i pëlqeu çiftit, të cilët fillojnë të bëjnë thashetheme pikërisht për Klodin. Domenika, që ka pasur një miqësi mjaft të fortë me Klodin, dhe diskutonte shumë gjëra me të, thotë se Klodi nuk po e tregon miqësinë që ka ndaj saj. Seldi thotë se nëse ndodhin gjëra të tilla gjatë spektaklit dhe nëse Klodi thotë ndonjë gjë kundër tij, atëherë edhe ai ka për të folur kundër Klodit pikërisht në spektakël. Seldi thotë se Klodi ka gjëra të mira, por kur po debatonte për Erionin filloi të nxirrte edhe më shumë gjëra të tjera. Domenika thotë se nëse nuk do të ishte Jetmiri, Erioni do të ishte shumë ndryshe dhe ndonjëherë nuk duhet të debatosh me të, por ta ndihmosh që të qartësojë idetë e veta. Pas thashethemeve që bëjnë për Erionin, Domenika thotë se Klodi e ka qejf Erionin dhe prandaj e mbron.

Seldi: Dua t’i them të gjitha gjërat

Hakiu zgjohet dhe del në kopsht ku qëndron së bashku me Seldin. Ndërsa bisedojnë, Hakiu përfiton nga rasti që janë vetëm dhe fillon ta këshillojë atë. Ai i thotë Seldit që të ketë kujdes në ato që bën e që thotë, pasi nuk është nevoja që ta ekzagjerojë, por thjesht të përpiqet t’i shijojë edhe këto ditë qëndrimi që i kanë mbetur në shtëpi. Seldi e dëgjon me vëmendje dhe pranon këshillën, por shton se ka edhe disa gjëra të fundit që do donte t’ia thoshte Erionit e më pas nuk do merret më me këtë gjë. Ai fillon të sqarojë se situata ndërmjet djemve dhe Jonës është kthyer njësoj si me atë ndërmjet tyre dhe Pamelës. Seldi shpjegon se kur sheh padrejtësitë që po ndodhin me Jonën, nuk mund të rrijë pa reaguar, pasi është kundër tipit të tij. Ai përforcon idenë se kjo që po bën nuk ka lidhje me nominimin, por vetëm se sjellja e Erionit i duket e ndikuar nga Miri. Ai thekson se nuk do që të quhet një person pa personalitet nëse veçse do sillej mirë me të tjerët e t’u bënte lajka, pa u thënë ato që mendonte vërtet për ta.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›