E Diel, 1 Nëntor 2026

Tornatore në Shqipëri, në kërkim të së panjohurës

Djepi i Giuseppe Tornatores, thënë ndryshe vendi i tij i lindjes, Sicilia e njërit prej mjeshtërve të kinematografisë italiane, do të vijë sot në Tiranë. Publiku shqiptar, duke filluar prej ditës së sotme e deri më 2 maj, do të ketë mundësinë të njihet nga afër me vendin ku lindi dhe u thurën ëndrrat e këtij artisti të madh. Përmes aktivitetit të titulluar “La cuna del sogno. Sicilia nel cinema di Tornatores” (“Djepi i ëndrrës. Sicilia në kinemanë e Tornatores”), do të shfaqen disa prej filmave më të njohur të këtij regjisori italian, përfshi edhe dokumentarë e spote publicitare, të cilët mbajnë gjithashtu firmën e tij. Për gazetën “Shqip”, kuratori i kësaj veprimtarie, Antonino Panzera, që është njëkohësisht edhe sekretar i përgjithshëm i festivalit ndërkombëtar “Taormina Arte”, mik i afërt i Tornatores, tregon se bëhet fjalë për një projekt shëtitës, i cili pas Tiranës do të ekspozohet edhe në vende të tjera. Ai thotë se vetë regjisori e ka pritur me shumë kënaqësi ftesën për të ardhur në Tiranë më 2 maj, vend nga ku lindi edhe ideja për realizimin e një katalogu të ri mbi krijimtarinë e Tornatores, kushtuar Sicilisë së tij. Panzeratregon se ky katalog ishte parashikuar të promovohej në Tiranë, por për arsye të ndryshme nuk u arrit në kohë të realizohej. Tashmë është vendosur të jetë gati për muajin qershor, pasi në Messina, vend ku ka edhe qendrën fondacioni “Bonino Puleje” që mbështet këtë veprimtari në Tiranë bashkë me Ambasadën Italiane, regjisorit pritet t’i jepet edhe një çmim.

Z. Panzera, përse u zgjodh Tirana për realizimin e kësaj veprimtarie kushtuar kinemasë së Tornatore?

Ne patëm një kontakt me Ambasadën Italiane në Shqipëri që kishte ndërmarrë realizimin e këtyre veprimtarive kulturore në kuadër të “Shqipëri-Itali. Dy popuj, një det një miqësi”. Duke qenë se ky projekt mbi Tornatoren ka nisur nga fondacioni “Bonino Pulejo” me qendër në Messina, atëherë ishte ai që e mbështeti edhe iniciativën në Tiranë. ndërkaq, në muajin qershor fondacioni do ta vlerësojë regjisorin edhe me një çmim dhe me këtë rast e njëjta veprimtari do të organizohet edhe atje ku do të prezantohet edhe një katalog i ri, “Giuseppe Torantore, segni e soogni. La Sicilia consapevole e inconsapevole nel cinema di Tornatore”. Ky katalog duhej të ishte gati edhe për në Tiranë, por për shkak të disa vështirësive nuk u arrit të realizohej. Ndërkaq, më duhet të them se Tornatore vetë e priti me shumë kënaqësi idenë për të ardhur, besoj për herë të parë në Shqipëri.

“Sicilia në kinemanë e Tornatores” nis sot me një ekspozitë ku publiku do të mund të njihet me imazhe të ndryshme të regjisorit. Kemi të bëjmë kryesisht me momente pune, apo edhe me fotografi të tjera të paekspozuara më parë?

Kemi të bëjmë me një retrospektivë fotografike të nëntë filmave e gjysmë që ai ka realizuar. E them këtë, sepse Tornatore ka realizuar nëntë filma me metrazh të gjatë, plus një film që ishte pjesë e një film me episode. Episodi i realizuar prej tij titullohet “Il cane blu”. Ekspozita përcjell përmes fotografive të gjitha momentet, personazhet, protagonistët dhe vendet ku janë realizuar këta filma.

çfarë ju shtyu të zgjidhni për këtë projekt pikërisht ata filma e dokumentarë, atë pjesë të krijimtarisë së Tornatores që ka të bëjë ekskluzivisht me Sicilinë?

Mendoj se ndihej nevoja për të realizuar një projekt që mund të përmblidhej në një fundjavë të vetme dhe jo diçka shumë të madhe. Pikërisht ne zgjodhëm të mblidhnim bërthamën e tematikave më të ndjeshme dhe më të njohura të krijimtarisë së tij. Dokumentarët e realizuar në RAI për shembull, do të jenë diçka mjaft interesante për publikun, pasi ata nuk janë shfaqur më qysh prej fillimit të viteve ‘90. Ideja për këtë përmbledhje kushtuar Sicilisë në kinemanë e Tornatores, lindi gjatë një bisede që po zhvillonim së bashku para disa kohësh. Ndërsa flisnim, zbuluam se në krah të asaj që ai e quan tetralogjia e filmave sicilianë (Tornatore ka bërë katër filma sicilianë, në mënyrë të ndërgjegjshme, të deklaruar), ekziston te filmat e tjerë që ai ka realizuar edhe Sicilia e pandërgjegjshme. Për shembull, në nivel psikologjik zbulohet se te filmi “La legenda del pianista sul oceano”, ekziston një hapësirë fizike e rrethuar thuajse e gjitha prej detit, që bëhet gati një ishull njësoj si Sicilia. Pastaj e njëjta gjë ndihet edhe te filmi “La sconosciuta”, që ka të bëjë me humbjen e identitetit... Në fund të kësaj bisede që bëmë së bashku (edhe unë jam sicilian), zbuluam se ndonjëherë ndihemi sicilianë hapur, zbuluar, në mënyrë të ndërgjegjshme, ashtu siç ka edhe disa herë kur do të krijosh diçka që nuk ka të bëjë me rrënjët e tua, por që gjithçka vjen në mënyrë spontane, natyrshëm, edhe pse kishe ndërmend të kundërtën.

Përse Tornatore është kaq i lidhur me rrënjët e tij?

Sepse thuajse i gjithë jugu ka një lidhje të veçantë me tokën e vet të origjinës dhe në hyrjen e këtij katalogu të ri që jemi duke përgatitur, unë kam zgjedhur të vij përmes një krahasimi. Duke qenë edhe unë njeri nga jugu, ka shumë gjëra që më lidhin me Tornatoren e për këtë arsye, disa prej tyre unë i zbuloj përmes tij. Për shembull, unë shikoj te “Baaria” shumë detaje që bëjnë pjesë në fëmijërinë time dhe që janë pjesë e jugut në përgjithësi. Pikërisht, për të realizuar hyrjen e këtij katalogu, para disa ditësh po kujtoja se në një moment te filmi “Baaria”, Tornatore flet në një sekuencë kur zbulon kinemanë. Edhe mua m’u kujtua papritmas që 45 vite më parë, ende më vjen në mendje momenti kur hyra në kinema me tim atë, kur për herë të parë u njoha me këtë botë gati të errët, ku ndihej era e rëndë e tymit të duhanit, dhe ku pashë për herë të parë që prej një rreze drite materializohej diçka në ekran. Por ka edhe shumë gjëra të tjera. Në këta filma sicilianë të Tornatores ka një kujdes të madh për veçantitë, detajet. Ato kanë të bëjnë me një rikthim të kujtimeve, të cilat me kohën ndodh edhe të zbehen, por që vijnë sërish në mendje, falë njerëzve si Tornatore.

Giuseppe Tornatore është një personazh që gjithnjë ngjall debat, edhe kur nuk ka diçka të re në krijimtarinë e tij. Përse ndodh kjo?

Unë besoj se kjo ndodh sepse ai është ndër të paktët regjisorë italianë për momentin që arrin t’i flasë botës mbarë, arrin të mendojë akoma për kinemanë e madhe, për kinematografinë e artë të dikurshme, për kinematografinë siç e kuptonte Federico Fellini, apo Sergio Leone. Një film si “Baaria” është një film kompleks jo vetëm sepse shpenzohen 25 milionë euro për prodhimin e tij, por sepse ka edhe tre mijë figurantë dhe këta janë të gjithë realë, jo të shtuar me kompjuter. Pra ai sjell një lloj kinematografie që sot ne nuk e shikojmë më, ose e shikojmë shumë rrallë. Njëkohësisht Tornatore është edhe një personazh mjaft kontrovers, sepse shpesh kjo mënyra e tij e të menduarit për kinemanë, për shumë duket e ekzagjeruar, e gjatë dhe ngjall debat. Besoj se ai është ndër regjisorët e mëdhenj që sipas meje është pjesë e historisë së kinematografisë italiane. Duke fituar një çmim “Oscar”, ai padyshim që renditet në radhën e Fellinit, De Siça-s, Bertolluci-t etj. Pra po flasim për një njeri që e do shumë punën e tij dhe ai në fazën produktive të filmit është ndër të paktët, për të mos thënë që në Itali mund të jetë i vetmi, që ka fjalën e fundit mbi gjithçka.

është i njohur fakti që Tornatore është një regjisor i angazhuar në fushën sociale. Tematikat që ai zgjedh në filma përcjellin gjithnjë realitete që në fakt përkojnë edhe me realitete të vendeve të ndryshme...

Tormatore është angazhuar në fushën sociale dhe e ka bërë këtë edhe përmes spoteve publicitare. Ai ka realizuar një spot që nuk është bërë asnjëherë i njohur, i cili kishte të bënte me një fushatë për të sëmurët me alzhaimer. Ai u censurua nga të gjitha televizionet si publike, ashtu edhe private. Në këtë reklamë shfaqet një i sëmurë që ka humbur kujtesën (rikthehet gjithnjë koncepti i kujtesës), i cili gjendet në një sallë parlamenti. Dhe në fazën e fundit dikush çohet e thotë: “Kush është ky, nxirreni jashtë”. Spoti mbyllet me frazën: “Mos e harroni atë që harron”. Pra një frazë kundër institucioneve. Edhe tematikat që ai zgjedh për filmat e tij përkojnë me realitete të ndryshme sociale. Përkimi i tematikave të tij me disa realitete të ndryshme sociale, mendoj se ka të bëjë edhe me faktin që ndoshta “jugu i botës” gjen disa analogji edhe për shkak të flukseve që ka pasur për shkak të emigracionit apo shkëmbimeve e kontakteve të ndryshme. Ndaj mendoj që kureshtja e Tornatores dhe dëshira për të ardhur në Shqipëri ka të bëjë edhe me faktin se ai do të hyjë në komunikim me një realitet që për arsye të ndryshme nuk e ka njohur më parë. Megjithatë, filmat e tij janë gjithëpërfshirës dhe kjo është një arsye se përse ai mbetet një regjisor i preferuar dhe i dashur për publikun.

Shpresojmë atëherë që diçka ta ngacmojë edhe prej Shqipërisë...

Shpresojmë, përse jo. Tornatore është me të vërtetë një njeri human, dhe me një ndjeshmëri të madhe.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›