Mjeshtër i Madh për Agron Llakajn
Në një ceremoni zyrtare, organizuar dje në ambientet e Presidencës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka nderuar artistin e njohur, Agron Llakajn, me urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Miq, familjarë, personalitete të fushës së artit e të humorit, kolegë të “Top Media”-s, familjarë të aktorit, zv\ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Nikollë Lesi, kanë qenë të pranishëm në vlerësimin që iu bë aktorit të njohur të humorit me motivacionin “Për kontribut të shquar dhe nivel të lartë interpretativ në krijimin e shumë personazheve artistikë të realitetit shqiptar, të krijuara falë talentit dhe mjeshtërisë së spikatur të këtij autori”. Pasi shprehu mirënjohjen e veçantë për Presidentin e Republikës për vlerësimin e lartë, duke falënderuar posaçërisht familjen, miqtë dhe kolegët për mbështetjen e vazhdueshme përgjatë gjithë karrierës artistike të tij, Agron Llakaj u shpreh se “ky titull vjen për mua në një moment të veçantë të karrierës sime artistike dhe besoj se do të jetë pjesë e atij angazhimit tim të ardhshëm, jo vetëm timit, por edhe të të gjithë artistëve shqiptarë në rrugëtimin e përbashkët sa artistik, por edhe qytetar për të gjithë popullin tonë”. Llakaj tashmë është personalitet në fushën e humorit, me të gjitha karakteret që ka krijuar përgjatë viteve të krijimtarisë dhe së fundmi në spektaklin e njohur “Portokalli”. Duke iu referuar pikërisht karrierës së tij, gjatë ceremonisë Llakaj ka theksuar se jeta e një artisti është si një gur që latohet vazhdimisht. “Falë bashkëpunimit me ju, unë kam krijuar këtë personalitet që kam sot. Kjo është domethënia e të qenit pjesë e një skuadre të madhe dhe kam një falënderim të veçantë për ‘Top Channel’ dhe “Portokalli”-n, është shprehur ai duke iu drejtuar stafit të kolegëve. Më shumë se një vit më parë, për kontributin e tij artistik, Agron Llakaj mori çmimin “Nderi i qytetit” të Memaliajt. Agron Llakaj ka lindur në qytetin Memaliaj të Rrethit Tepelenë, më 24 prill 1960. Studimet e Larta në Akademinë e Arteve i kreu në vitet 1987-1991, ndërkohë që angazhimet e para i ka në spektakle televizive, si "12 në Hollivud", "12 vallëzime pa një të shtunë" dhe "12 javë rreth fatit" etj. Në transmetimet e spektakleve televizive më të shikuara si "Telebingo", Llakaj ka qenë prezent prej viteve 1996-2002. Aktualisht është drejtor artistik, prezantues, moderator dhe aktor i spektaklit të humorit, prodhim i “Top Channel”, “Portokalli”.
#