E Diel, 1 Nëntor 2026

Erioni dhe Miri: Mendojnë largimin nga BB, qetësohen pas bisedës me banorët

Erionit dhe Mirit u shkon ndërmend që të lënë shtëpinë pas mbrëmjes së spektaklit. Të dy janë të gatshëm të dalin menjëherë, por duke folur me banorët e tjerë, ata ndërrojnë mendim. Erioni mërzitet shumë dhe nuk u tregon banorëve arsyen. Ata e komentojnë si shumë të nxituar këtë mendim të djemve

Pas mbrëmjes së spektaklit, banorët kanë vijuar të diskutojnë mbi gjithë sa kishte ndodhur. Thuajse të gjithë janë mjaft të mërzitur dhe e kanë shprehur atë në shumë mënyra. Debatet kanë qenë pjesë e vazhdueshme mes tyre. Seldi, përveçse me Mirin është zënë edhe me Klodin e për këtë arsye edhe me Domenikën.

Debate mes Klodit dhe Seldit

Seldi dhe Klodi, pas një bisede normale, nisin të bëjnë fjalë. Gjithë ngjarja fillon pasi Domi është ankuar se është vrarë dhe të dy djemtë nisin t’i thonë se çfarë duhet të bëjë. Seldi i thotë Klodit se për t’u kuruar pëlqen më shumë metodat popullore. Klodi ia kthen se problemi nuk qëndron tek idetë që po jepen për këtë rast, por te fakti se Seldit nuk i pëlqen asgjë nga ato që thotë Klodi. Në lidhje me situatën, Klodi mendon se më e drejtë është që të veprojnë sipas rregullave të mjekësisë. Ai shton se për Seldin, më e drejtë do ishte që t’i thoshte Klodit se Domi është e dashura e tij e të mos flasë më. Seldi dhe Domi i thonë se është duke folur gabim. Domi shprehet se edhe ai ka të drejtë t’i japë këshilla, por sipas Klodit sa herë që thotë diçka, Seldi e kundërshton. Gjithë kjo zënkë duket se e ka nervozuar Klodin i cili shton se Seldi e ofendon në këtë mënyrë. Ndërmjet dy djemve, gjithë diskutimi kthehet në debat. Aty ndërhyn edhe Mandi që thotë ta lënë për nesër sqarimin, por Klodi i kthehet atij duke i thënë se nuk duhet ta përkëdhelë shumë Seldin se i bën keq. Të dy fillojnë të flasin me ironi ndaj njëri-tjetrit. Klodi acarohet akoma më shumë në një moment kur i duket se Seldi e imiton. Ai thotë se përkëdheljet dhe falsiteti i Seldit me të nuk i ecën. Mandi dhe Domi i kërkojnë Seldit të largohet dhe pas largimit të tij, Klodi qetësohet disi. Ai vazhdon ta quajë Seldin fëmijë që nuk di të sillet dhe përveç lojërave dhe shakave, nuk di të bëjë asgjë tjetër. Klodi i thotë Mandit dhe Domit se gjatë spektaklit nuk i ka pëlqyer edhe një tjetër reagim i Seldit kur pas debatit me Mirin ai ka qeshur me të. Domi dhe Mandi e justifikojnë Seldin duke thënë se e qeshura ishte ironike, por Klodi shprehet se i shikon vetë ato që po ndodhin në shtëpi. Ai i thotë Domit se Seldi nuk i pëlqen aspak dhe se shoqërohet me të vetëm prej Domit. Domenika i thotë se nuk i pëlqejnë këto acarimet e vazhdueshme të Klodit.

Miri dhe Erioni mendojnë largimin nga BB

Erionit dhe Mirit u shkon ndërmend që të lënë shtëpinë pas mbrëmjes së spektaklit. Të dy janë të gatshëm të dalin menjëherë, por duke folur me banorët e tjerë, ata ndërrojnë mendim. Erioni mërzitet shumë pa arsye, të paktën ai nuk u thotë asgjë banorëve se çfarë ka. Klodi i qëndron pranë për ta qetësuar, por ai shprehet se është mirë. Banorët e komentojnë këtë mendim të dy djemve dhe me njëri-tjetrin duke thënë se është diçka e nxituar. Pasi mblidhen në dhomën e gjumit, banorët fillojnë të diskutojnë për nominimet që kanë bërë dhe faktin që janë pesë vetë të nominuar këtë javë. Klodi shprehet se tashmë po vjen fundi dhe të gjithë duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin për t’i dhënë forcë për të vazhduar më tej. Të gjithë shprehen se kanë pasur momentet e tyre për t’u larguar nga shtëpia, por më pas kanë reflektuar e janë qetësuar. Ata i japin forcë dhe kurajë Erionit që të kalojë këtë moment të vështirë. Situata në shtëpi duket disi e rënduar.

Banorët, kundër Mirit

Banorët janë mbledhur në kuzhinë për të pirë nga një gotë verë. Ndërsa bisedojnë, ata komentojnë edhe klipin e Mirit që fliste për lulen që mbante në kokë Jona. Ajo është prekur nga këto fjalë, ndërsa Miri thotë se në klip, nuk i tha me qëllim të keq. Jona shprehet se nuk po e kupton atë, pasi ajo dhe të tjerët e panë ndryshe klipin që ai e thoshte me tallje. Miri e kundërshton, por biseda kalon pastaj në ironi ndërmjet tij dhe Mandit e Seldit në lidhje me tespiet që i solli gjyshi. Ata thonë se Miri ka dalë nga udha e drejt e ka shkarë. Ata i kujtojnë edhe këshillat e gjyshit dhe Miri, duke qeshur, por duke folur me ironi, shprehet se dëgjon fjalën e tij. Të dy djemtë, Seldi dhe Mandi e këshillojnë që të ndryshojë, pasi është ende në kohë. Pas pak, Miri hap bisedën për fjalët që kishte thënë në klip për Domin dhe Seldin. Ai justifikohet dhe thotë sërish se ka qenë shumë i ngarkuar psikologjikisht e përveç saj dhe i dehur. Miri shprehet se e kupton që fjalët ishin shumë fyese dhe nuk duhej t’i thoshte, por momenti i tillë e bëri t’i nxirrte. Edhe Jona ndërhyn duke thënë se Miri nuk mund të kërkojë falje për çdo situatë, por më mirë të mbajë përgjegjësi për ato që thotë. Seldi shprehet se në ndryshim me Jonën, ai e njeh mirë Mirin dhe e kupton në ato që thotë. Sipas tij, Miri është kontradiktor në ato që thotë. Më pas, diskutimi shkon te klipi për Hakiun që i kishin bërë kolegët. Atyre nuk u pëlqen kjo ndasi që çmimi të çohet në Kosovë apo të mbetet në Shqipëri. Sipas tyre, nuk duhet të bëhen përcaktime dhe ndarje të tilla dhe ai mesazh, disave prej tyre iu duk si një propagandë që të gjithë ta votojnë Hakiun për ta çuar në Kosovë çmimin.

Seldi, Domit: Je e vetme në lojë

Ndërsa flasin për çështjen e çmimit në Kosovë, Miri flet se Hakiu nuk mund të përfaqësojë Kosovën, por vetëm veten e tij. Ndërsa Miri flet, Seldi ndërhyn dhe shprehet se këto gjëra ai duhet t’ia thotë Hakiut e jo atij. Erioni ndërhyn dhe shprehet se ky muhabet po bëhej me Klodin se ishte ai që e nisi bisedën ndaj Seldi s’duhet të ndërhyjë. Klodi merr fjalën dhe shprehet se Seldit shumë gjëra nuk i pëlqejnë kur i thonë të tjerët dhe i kthyer nga Seldi, i kërkon që nëse diçka që flitet në tavolinë nuk i pëlqen, le ta thotë e ata të largohen për respekt. Seldi i kërkon që të largohen. Realisht, ata largohen dhe Seldi u thotë nga pas që po shkojnë pas komandantit. Ai kthehet nga Domi dhe i kërkon që kur Klodi të shkojë tek ajo për t’i folur për të, Domi t’i thotë që të sqarohet vetë me Seldin. Domenika acarohet nga këto fjalë, sepse i duken të tepërta. Ndërmjet të dyve lind debat se Domi i thotë se gjithnjë është munduar që t’i përmirësojë raportet e tij me të tjerët. Seldi i kërkon që ajo të mos përfshihet më në gjërat e tija. Për Domin, kjo kërkesë është e tepërt se ajo nuk ka thënë asgjë kundër tij, sidomos me Klodin. Domi nuk kupton pjesën se kur ajo përpiqet për të mirën e tij, ai i kërkon të rrijë pa folur. Ajo shprehet se do ia plotësojë kërkesën, ndërsa Seldi acarohet dhe i thotë bebe. Të dy fillojnë të debatojnë. Më pas Domenika përpiqet t’i flasë me të urtë, ndërsa Seldi me tone të larta. Ajo i thotë se po gabon për më tepër kur në sy të të tjerëve i thotë të mos flasë më. Seldi ia kthen se ajo është e vetme në lojë. Domenika habitet dhe nuk kupton ç’hyn kjo pjesë. Seldi shprehet se me këtë ton që ajo flet, ajo e trajton sikur të jenë dy armiq. Domenika përpiqet të sqarohet se ajo është munduar gjithnjë të sheshojë keqkuptimet mes tij dhe Klodit, ndërsa Seldi e akuzon se ajo i shtrembëron bisedat me Klodin. Domenika acarohet dhe largohet e duke ikur, shprehet se ai nuk kupton se me kë po flet e çfarë po i thonë.

Miri, diskutim me Hakiun

Në dhomën e ndenjjes, Miri, Erioni dhe Hakiu mbeten vetëm. Ata vazhdojnë të diskutojnë për pjesë të ndryshme nga klipet e një ndër to që i intereson Mirit për të diskutuar është kur Hakiu kishte thënë se Erioni sillet ndryshe kur është me Mirin apo edhe këshillat që i kishte dhënë Manalit që të mos bjerë pre e lojës. Në rastin e parë, Erioni hidhet në mbrojtje të vetes dhe Mirit duke thënë se kur janë të tre, ata vetëm bëjnë shaka e shkëmbejnë batuta. Te rasti i dytë, Miri thotë se Hakiu po bën rolin e babait të mirë, por fundja nuk kanë ardhur për t’i shprehur dashurinë njëri-tjetrit, por të luajnë. Miri i kujton rastet e ndryshme kur ka vepruar njësoj si për Rezin, Valonin, Manalin që Kika bënte të njëjtin rol. Miri thotë se asnjë nuk e mori mundimin t’i afrohej Manalit për ta njohur realisht. Sipas Kikës, fakti që ata të dy rrinin bashkë, nuk e lejonte Manalin të shoqërohej me të tjerët. Ai shton se Miri gjithnjë lojën e bën me banorët e rinj.

Klodi qan i vetëm

Klodi është zgjuar i pari. Pasi përgatit kafen ai del në kopsht i vetëm. Pas tij zgjohet edhe Mandi, i cili del në kopsht dhe bisedon me Klodin veç për motin. Kur ngelet vetëm, nën efektin e këngëve të qeta që po dëgjon, Klodi preket e fillon të qajë. Në kopsht del Domenika e sapozgjuar nga gjumi. Ajo shkon ta përshëndesë dhe habitet kur e sheh duke qarë. Ajo e përqafon dhe ndërsa bisedojnë nga pak, Klodi thotë pjesë fjalish e nga ato kuptohet se ai është i mërzitur për debatin e djeshëm me Seldin, kur ai i tha se nuk kuptohet nga të tjerët. Klodi shprehet se nuk është tip që zihet. Domi e këshillon të qetësohet, sepse në këtë mënyrë nuk zgjidhen gjërat. Me ta bashkohet edhe Kika i cili tregon një ëndërr që ka parë me Valentinën. Domenika mërzitet nga përmbajtja jo e mirë e ëndrrës, ndërsa Kika mendon se ndoshta Valentina është mërzitur nga debatet e mbrëmshme. Kështu ata flasin për ndodhitë e një nate më parë dhe e përcaktojnë si një natë acaruese. Domenika tregon për debatin me Mirin dhe shprehet se sado sqarohet me të, ai prapë sillet njësoj. Bashkë me Klodin, shprehen se nuk po i përjetojnë mirë këto debatet e fundit. Ata i rikthehen prapë bisedës për Mirin dhe Domi shprehet se ai nuk duhet të merret më me lidhjen e saj. Klodi ia kthen se Miri do vazhdojë të gërricet me të tjerët se ka kohën e vet dhe kjo gjë ka për të ndodhur deri në fund. Klodi i thotë Kikës që të mos mërzitet me të se biseda e mbrëmshme nuk kishte për qëllim që të merreshin me të personalisht. Kika i thotë se e kupton, por edhe ai ndihet i mërzitur nga ato që ndodhën. Për Klodin, problemi i tyre qëndron te fakti që nuk u pëlqen kritika.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›