Erjon Braçe: Përfundimisht, ne nuk kemi aleatë por pazarxhinj

Reagimi i Braçes
Pas zgjedhjeve të 8 majit me konstituimin e këshillave të njësive të pushtetit lokal dhe këshillave në qarqe, nga koalicioni opozitar Aleanca për të Ardhmen ka pasur shumë rrjedhje mandatesh.
Rastet kanë qenë nga më flagrantet. Më i fundit është ai i votimit për zgjedhjen e kreut të qarkut Vlorë. Edhe pse opozita kishte 36 mandate, kandidati i mazhorancës mori 37 vota pro ndërsa kandidati i opozitës vetëm 15.
Në këtë kuadër Erjon Braçe, deputet i Partisë Socialiste shkruan në rrjetin social Facebook se partitë e vogla aleate nuk janë forca politike serioze.
Përfundimisht, ne nuk kemi aleatë por pazarxhinj; njëherësh dhe kryetarë të partive aleate që nuk kanë më ndikim mbi njerëzit e tyre!
Nga Saranda ku nisi dy muaj më parë (konstituimi i këshillave të bashkive dhe komunave si dhe këshillave të qarqeve) deri sot në Vlorë, na kanë shitur: këshilltarët e PDK, të PSD, të PDS, të PUK, të PSV91, të PBDNJ! Natyrisht si përherë edhe këshilltarë socialistë! Ky është sistemi ku bën qejf tradhtia! Ky sistem duhet shembur!, shkruan Braçe.