OKB ,festime për 66 vjetorin
Organizata e Kombeve të Bashkuara kremtoi 66 vjetorin e formimit të saj. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryeministri Berisha , kryeparlamentarja Topalli dhe ministri i jashtëm Haxhinasto. Në fjalën e saj përshëndetëse , kordinatorja e OKB-së në Tiranë ,Zineb Tourni Benjelloun theksoi marrëdhëniet e mira me Shqipërinë si dhe vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes së sotme si një hap të madh në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Ndërsa ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto gjatë fjalës së tij tha se SHqipëria do të vazhdojë të jetë një partnere dhe mbështetëse e OKB-së.
Më herët qeveria shqiptare nënshkroi një memorandum bashkëpunimi për 4 vjet me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në fjalën e tij në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, kryeministri Berisha theksoi se ky program do të jetë i përqëndruar për të shpalosur modelin e zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë.
Ai ka shtuar se vendi ynë i ka të gjitha potencialet për të ndjekur rrugën e zhvillimit ndërsa ka theksuar se qeveria është e vendosur për ta shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të vogël rajonale të energjisë së rinovueshme.
Kryeministri shprehu mirënjohje për të gjithë ekipet e OKB-së, duke theksuar se ata me kontributin e tyre janë pjesë e suksesit të këtij vendi.
Sipas Berishes, kremtimi i 66 vjetorit të OKB-së me një marrëveshje shumë të rëndësishme për 4 vitet që vijnë është shumë domethënës.