E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erla Mëhilli: Jam tifozee çmendur e Italisë

TIRANE-Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, gjyqtarja Manjola Bejleri dhe fotografi Armand Babani kanë dalë dje jashtë profesioneve të tyre për të folur për futbollin. Në studion e emisionit "Botërori ndryshe" të Eneida Xhelilit dhe Denis Mingës në News24, këta personazhe të jetës së vendit i janë dedikuar kampionatit botëror të futbollit, që po zhvillohet në Afrikë që prej datës 11 qershor. Gjatë emisionit ata diskutuan për ndeshjet që janë luajtur edhe ato që do të luhen duke dhënë vlerësime e duke bërë parashikime. Bashkë me këta, në studio ishin edhe vajza futbolliste si edhe Mikela Kakeli, opinioniste futbolli. Emisioni u hap me një kronikë mbi ndeshjen Itali-Paraguaj e teksa u fol në studio për Italinë, për të cilën Mëhilli është tifoze e çmendur, zëdhënësja e PD-së tha se do ishte mirë të fitonte, por qe e vështirë. "Nuk qe e thjeshtë fitorja. Unë nuk jam dakord me atë që thuhet për ekipin italian se ka shans, shans mund të kesh vetëm njëherë, ndërsa ky shtet radhitet i dyti pas Brazilit për kupën botërore, sepse e ka fituar 4 herë", - tha Mëhilli. Por përveç opinionit mbi Italinë, Mëhilli la të kuptohej se ka njohuri jo të pakta mbi këtë sport, kur foli edhe për teknikën e lojës së ekipit brazilian. Duke iu rikthyer sërish skuadrës së zemrës, ajo vlerësoi lojtarët e gadishullit Apenine. Gjatë bisedës nuk munguan as shakatë, si në momentin kur Minga i tha Mëhillit se ka ngjyrën e partisë që përfaqëson dhe të skuadrës me të cilën është tifoze njësoj, ndërsa ajo ia ktheu se edhe ai ishte veshur me këmishë blu. Teksa u pranua se futbolli i bashkon të gjithë, Mëhilli tregoi se gjatë kohës kur ka qenë studente në Itali, ka ndjekur edhe ndeshjet e Romës, Interit e Lacios. Në fund të emisionit, për ndeshjen Brazil-Kore e Veriut, ajo tha se mendonte që ndeshja do dilte barazim.

(d.b/GSH/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›