Ermonela Jaho, provokuese në Operan Mbretërore në Suedi
Në “Traviatën” e sjellë në kohët moderne Violeta Valery apo Ermonela Jaho shfaqet si një prostitutë luksi, e cila bie në dashuri me Alfredon, një djalë i pashëm shumë i pasur. Me pak fjalë Ermonela Jaho do të jetë një “Pretty Woman” apo Julia Roberts, ndërsa Alfredo një Richard Gere
Historia e kurtizanes me emrin Violetë, që dashurohet me një fisnik me emrin Alfredo, do të vijë në Operan Mbretërore të Suedisë si historia e një prostitute që dashurohet me një pasanik. “Traviata” e kompozitorit të njohur italian Xhuzepe Verdi ngjit në skenë sopranon Emronela Jaho, që për herë të parë është e ftuar në Operan Mbretërore të Suedisë për të qenë Violeta e kohëve moderne. Opera me tre akte ka zënë faqet e shtypit suedez për mënyrën sesi regjisori Kasper Holten e ka konceptuar për ta sjellë atë për publikun “mbretëror” të operas në Suedi. Për këtë rol ai ka zgjedhur bukuroshen shqiptare Ermonela Jaho - shkruan shtypi i huaj, duke bërë një paralelizëm me suksesin e saj si Violeta Valery tradicionale me atë moderne, që do të shfaqet në operan “Traviata”. Në “Traviatën” e sjellë në kohët moderne Violeta Valery apo Ermonela Jaho shfaqet si një prostitutë luksi, e cila bie në dashuri me Alfredon, një djalë i pashëm, shumë i pasur. Me pak fjalë, Ermonela Jaho do të jetë një “Pretty Woman” apo Julia Roberts, ndërsa Alfredo një Richard Gere i pasur që gjen dashurinë e jetës te prostitua e luksit. Me Alfredon e saj atë e pret një e ardhme e qetë larg klubeve të natës në Paris. Por kjo dashuri nuk pranohet nga babai i Alfredos, i cili mendon se kjo dashuri turpëron familjen, duke e parë bukuroshen Violetë si një manipuluese që ka verbuar të birin dhe nuk e lë që t’i kthehet jetës së mëparshme si biznesmen që vjen nga një familje e pasur dhe me tradita, ku çdo femër do të ishte e gatshme t’i qëndronte pranë. Por ai nuk e di se Violeta është e sëmurë dhe në prag të vdekjes. “Traviata” që do të luhet më 19 nëntor në Operan Mbretërore të Suedisë është tragjedia e luftës së një gruaje kundër paragjykimeve të shoqërisë, një temë kjo që, sipas regjisorit, ka një domethënie të rëndësishme personale edhe për vetë kompozitorin Xhuzepe Verdi. “Kam zgjedhur Violetën e duhur për të vënë në skenë versionin modern të ‘Traviatës’. Ajo është sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, e cila për herë të parë ngjitet në skenën Mbretërore të Operas suedeze. Kjo soprano në rolin e Violetës tradicionale ka arritur majat e suksesit në skenat më prestigjioze të botës, si në Operan Metropolitan në Nju-Jork, Covent Garden në Londër, në Itali e në shumë skena të mëdha operistike në botë. Por për herë të parë ajo do të luajë një Violeta Valery ndryshe”- shprehet regjisori Kasper Holten. Premiera e “Traviatës” do të jepet këtë të shtunë, më 19 nëntor, për të vazhduar çdo javë deri më 19 dhjetor. Në rolin e Violetës në të gjitha vëniet në skenë do të interpretojë sopranoja shqiptare Emronela Jaho, në rolin e Alfredos është një tjetër tenor i njohur vendas, Klas Hedlun. Sipas regjisorit, opera është sjellë në kohët moderne dhe larg tradicionales, me shandanët e mëdhenj, aristokratët me dorashka të bardha dhe me fustanet të stilit zhupon. Në vend të tyre në skenë do të shfaqen dritat e kuqe të klubeve të natës në Paris, veshjet ekstravagante me taka të larta dhe zhartiere të zeza, shoqëruar me lëvizje provokuese. Skenografia që regjisori ka zgjedhur për këtë opera janë klubet e natës dhe rrugët tregtare të qyteteve moderne. Në fakt, shtypi i ka komentuar gjatë imazhet, veshjet dhe lëvizjet provokuese, që nuk i kanë shpëtuar syrit të fotografëve që kanë shkrepur aparatet gjatë provave të fundit për të sjellë në skenën mbretërore të Operas në Suedi nën titullin “Traviata e kohëve moderne” . Për sopranon shqiptare, e cila ngjitet për herë të parë në skenën më të madhe të operas në Suedi, ky rol vjen pas një debutimi të suksesshëm në Londër, Berlin, Nju-Jork etj., ku interpretimi i Violetës është i njohur dhe një rol shumë i dashur për të. Debutimin e parë si Voleta Valery ajo e ka patur në Tiranë, kur ishte vetëm 17 vjeç. Më pas Violetën ajo do ta interpretonte edhe në skena të tjera me famë botërore, si në operën shtetërore në Mynih, teatrin “San Carlo” të Napolit, teatrin “Xhuzepe Verdi” në Trieste, si dhe në opera të ndryshme në Amerikë. Jaho është vlerësuar nga kritikët si një soprano me zë dhe interpretim skenik të një lloji të veçantë qysh prej vitit 1993, ku u seleksionua nga sopranoja e njohur italiane Katja Riçareli, në Tiranë, vlerësim ky që e çoi Ermonelën në konservatoret e Mantovës dhe në “Santa Çeçilia” të Romës. Debutoi me partnerë të tillë si: Paolo Montarselo, Juan Diego Flores, Jean Pierre Trevisani etj. Ka interpretuar në teatrot “Aligheri”, “Ravena”, “Piçolo”, “Scala”-Milano dhe në shumë skena të tjera botërore, ku së fundmi në atë suedeze “Royal Opera”.
Përgatiti: Aida Tuci