E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tek oborri i Bernarda Albës në Metropol

Në Teatrin e Metropolit do të ngjitet drama e Federiko Garsia Lorkës “Shtëpia e Bernarda Albës” me regji nga Kiço Londos. Regjisori Londo do të ngjisë në skenë një kastë aktorësh, ku spikasin aktoret e karrierës si Luiza Xhuvani, Roza Anagnosti; por dhe aktoret e reja në skenë, si Adriana Tolka, Esela Pysqyli, Taulanta Jupi, Mirela Naska etj.

Premiera e dramës “Shtëpia e Bernarda Albës” do të shfaqet në fillim të dhjetorit. Në rolin kryesor, atë të Bernadra Albës, interpreton aktorja Luiza Xhuvani, e cila do të ketë në krah një tjetër aktore të madhe të skenës, Roza Anagnostin, që vjen në rolin e mamasë së Bernardës. Sipas regjisorit Kiço Londo, vepra do të jetë larg patetizmit, larg të bërtiturave, por do të tingëllojë si një poezi sensuale. Ngjarjet nuk do të zhvillohen brenda mureve të një shtëpie, por jashtë, si oborri i një shtëpie private rrethuar me lule dhe shatërvan e stola në mes. Heroinat shqiptare të Lorkës janë femra të dështuara në dashuri, femra që nuk gjejnë rrugë të hapur në pasionin e tyre të pakënaqur, e shpirtrave të dashuruar dhe të flakëruar…

Pavarësisht se Lorka që herët ndiente neveri për mënyrën e përballimit të femrave në provincën spanjolle, asnjë nga veprat e tij nuk pasqyron më tepër thjeshtësinë dhe trishtimin e jetës së femrave në jug, aq sa te “Shtëpia e Bernarda Albës”. “Në kishë gratë duhet të shikojnë vetëm priftin. Vetëm atë, sepse mban rasë”, i rikujton Bernarda vajzave. Në botën e Bernardës fati i gruas është martesa dhe, në vazhdim, mbyllja e saj në shtëpi. “Mallkim të lindësh grua”, thotë vajza e saj Amelia. Brenda kufijve të “fotografisë” bardh e zi të jetës në fshat, burrat marrin një përmbajtje (hipostazë) përafërsisht mitike, madje dhe stereotipe. Tradhtarë dhe sensualë, ata shpartallojnë fshatin duke zbutur kuajt ose duke lëruar dhe pluguar tokën si edhe martoheshin vetëm sepse ata dëshironin një “qen të nënshtruar për t’u gatuar”. Më 1934, e kishin pyetur Lorkën për cilën arsye shkruante kaq shumë vepra teatrore që kishin të bënin me femrat. Ai kishte dhënë dy përgjigje - një poetike dhe një më në prozë. “E bëj sepse gratë kanë më shumë pasion, janë më pak racionale, janë më njerëzore, pjellore” kishte thënë, duke shtuar: “Gjithashtu, një shkrimtar do të ndeshej me shumë vështirësi nëse heronjtë e tij do të ishin meshkuj. Siç e perceptoni, ekziston një mungesë e madhe e aktorëve meshkuj, aktorëve të mirë meshkuj”. Kishte të drejtë: mjaft kompani spanjolle kishin për sipërmarrëse aktore femra dhe ishin shumë më të mira nga ata që kishin meshkuj. Megjithatë, Lorka pyeste veten mos ndoshta ishte “shumë e guximshme” t’i eliminonte totalisht meshkujt nga ndarja e roleve te “Shtëpia e Bernarda Albës”, por ishte i disponueshëm të merrte përsipër riskun, me qëllim që të kulmonte përfundimin e veprës. Me veprën “Shtëpia e Bernarda Albës” synonte të trondiste Spanjën, ashtu si Ibseni që kishte tronditur gjysmë shekulli më përpara Europën e Veriut me veprën “Shtëpia e kukullës”. Tashmë që nga 1919-ta, kur drama e Ibsenit ishte prezantuar në Granadë, një kritik kishte shkruar se Nora “nuk mund të jetë një bashkëshorte spanjolle, as edhe Trobaldi një bashkëshort i lindur në Spanjë”. “Shtëpia e Bernarda Albës”, në fakt, nënkupton diçka ndryshe. Prezanton sistemin e vjetër spanjoll të kastave dhe kodin moral në formën më vdekjeprurëse. Gjithashtu, zbulon pasojat fatale të shtypjes shoqërore, seksuale dhe me sinekdokë politike. Po a nuk ndodh rëndom kështu edhe në shoqërinë tonë (?).

Kështu, drama e femrave në shtëpinë e Bernarda Albës rikthen sërish një dyshe mjaft bashkëpunuese, kur bëhet fjalë për vepra të mëdha, si Luiza Xhuvani dhe Roza Anagnosti, të cilat para një viti ishin bashkë në skenën e Teatrit Kombëtar me një tjetër dramë po aq të fuqishme si “Elektra” e Sofokliut.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›