Eros Ramazzotti rikthehet në Prishtinë
Pas zhurmës së madhe për anulimin e koncertit të datës 30 korrik që Eros Ramazzotti duhet të mbante në Prishtinë, vjen një tjetër lajm. Kompania UBBOSS, në bashkëpunim me Agjencinë Koncertale të Kosovës, kanë njoftuar se mbrëmjen e së dielës arritën një marrëveshje me menaxherin e Eros Ramazzotti-t. Sipas kësaj marrëveshjeje thuhet se do të ketë një datë të re për koncertin e Ramazzotti-t dhe është pikërisht 9 gushti. Koncerti do të mbahet po në stadiumin e Prishtinës. "Të gjithë adhuruesit e artistit që tashmë kanë blerë biletat, mund të përdorin të njëjtat edhe për datën e re. Nga nesër biletat dalin në shitje nëpër të njëjtat pika ku kanë qenë më parë.
Duke marrë parasysh që vendimi është marrë gjatë fundjavës, data e koncertit do të publikohet në faqen zyrtare të artistit nga e hëna. Gjithashtu, për të gjithë adhuruesit artisti ka përgatitur një video ku ai përshëndet adhuruesit nga Kosova dhe i fton ne koncertin e tij në datën 9 gusht, duke filluar nga ora 20:00", thuhet në njoftim e zyrës së informimit të UBBOSS. Në fakt, deri dje pasdite, në sajtin zyrtar nuk njoftohej datë e re për koncertin në Prishtinë e po ashtu vazhdonte të qëndronte lajmërimi për anulimin e koncertit.
Koncerti fillimisht ishte parashikuar të zhvillohej më 30 korrik, por ishte anuluar pas mosmarrëveshjeve ndërmjet organizatorëve dhe drejtuesve të stadiumit të Prishtinës.
#