Miliona viktima nga përmbytjet
Miliona dollarë ndihma po i ofrohen Pakistanit, ndërkohë që po bëhen të ditura detajet e shkatërrimit të shkaktuar nga përmbytja më e madhe ndonjëherë në këtë vend. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, tha se kishte autorizuar një donacion prej 10 milionë dollarësh, po kaq do të akordojë edhe SHBA, si dhe helikopterë dhe anije. Ndihma po jep dhe Kina. Vërshimet kanë përfshirë zonën veriperëndimore të Pakistanit dhe vlerësohet se më shumë se 1 milionë e gjysmë njerëz, kanë nevojë për ndihmë urgjente. Shirat mund të kenë pushuar, por zonat në veriperëndim të Pakistanit vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë. Më shumë se një milionë e gjysmë vetë janë prekur nga vërshimet, ata janë të bllokuar dhe presin për ndihma. Shumë prej tyre kanë humbur gjithçka. Ka mungesë ushqimi, kurse uji i pijshëm është ndotur dhe ka shqetësime për përhapjen e sëmundjeve. Ushtria pakistaneze ka angazhuar rreth 30 mijë ushtarë në operacionet e shpëtimit, por nxjerrja e njerëzve në zona të sigurta është një proces i ngadaltë. Koha për momentin është gjëja më e rëndësishme, që të mbijetuarit e vërshimeve të mund të shpëtojnë nga situata.
#