E Diel, 1 Nëntor 2026

Muzikantët francezë, dy net në Berat

Instrumentisti shqiptar Genti Dollani e çon në Berat edicionin e parë të festivalit muzikor “Një mbi një tinguj”. Protagonistët janë kuarteti francez i klarinetave “Appassionati” dhe Ansambli Orkestral Marcillac. Në program, muzikë klasike, xhaz, por edhe muzikë shqiptare

Instrumentisti shqiptar Genti Dollani, i cili e ka ndërtuar karrierën e tij në skenat e Francës, ka zgjedhur Beratin për të parin festival të muzikës të organizuar prej tij. Titullohet “Një mbi një tinguj” dhe do të mbahet në Pallatin e Kulturës së qytetit, në datat 6 dhe 7 gusht. Në këtë edicion të parë janë rreth 52 muzikantë francezë, shqiptarë e kosovarë që do të interpretojnë për publikun muzikë klasike, kontemporane dhe shqiptare. Protagonistët e festivalit “Një mbi një tinguj” janë kuarteti francez i klarinetave “Appassionati” dhe Ansambli Orkestral Marcillac, i themeluar më 1920-n. I ftuar për të bërë performancën e tij në këtë festival është edhe klarinetisti kosovar Blerim Emerllahu. Drejtori artistik i festivalit, Genti Dollani, shprehet se do të ketë një shumëllojshmëri muzike që do ta mbajë gjallë publikun. Kuarteti “Appassionati” do të interpretojë natën e parë pjesë nga Mozart, Brahms, Piazzolla, Albinoni, si dhe muzikë klezmer. Ndërsa natën e dytë performanca i takon Ansamblit Orkestral Francez, i cili përveçse do të interpretojë pjesë nga Puchedu, Morricone, Ray Charles dhe muzikë klezmer, do të sjellë për publikun edhe muzikë shqiptare. Ky edicion i parë realizohet me mbështetjen e Bashkisë së Beratit dhe institucionet franceze si: Mairie de Marcillac, Communauté de Communes de L’Estuaire, Leclerc dhe Terroirs de Tutiac.

“Një mbi një tinguj” titullohet festivali që do të ketë edicionin e parë në Berat. Si ju lindi ideja e këtij festivali?

Gjithmonë kam pasur dëshirën të kthehem dhe të jap koncerte për publikun shqiptar dhe pothuajse çdo vit e kam realizuar, herë i ftuar nga Ministria e Kulturës, nga Teatri Kombëtar i Operës në Tiranë, herë të tjera duke u organizuar me miqtë e mi muzikantë. Prej një viti më lindi ideja e krijimit të një festivali dhe kësaj herë m’u desh shumë më tepër punë për të krijuar mundësinë që të sjell një trupë prej 52 muzikantësh.

Keni tentuar t’i largoheni kryeqytetit. Pse Berati?

Berati është qyteti im i lindjes dhe është ky qytet që më ofron mundësinë të zhvilloj një festival të tillë, ku do marrin pjesë muzikantë nga Franca, Shqipëria dhe Kosova. Shpresoj që në një edicion tjetër do kemi mundësinë t’i afrohemi edhe kryeqytetit.

Keni zgjedhur gushtin për këto prezantime. Nuk ju duket pak e rrezikshme kundrejt publikut?

Gushti është muaji ku ishte e mundur për mua ardhja në Shqipëri dhe falënderoj muzikantët që e pranuan. është e vërtetë që është muaji ku të gjithë janë me pushime, por pikërisht dhe roli i një festivali është të tërheqë pushuesit të vijnë të dëgjojnë një koncert të këndshëm në një qytet karakteristik dhe mbi të gjitha hyrja do jetë falas.

Kuarteti “Apassionati” parashikon një program me shumëllojshmëri muzike. është kjo një zgjidhje që ju keni bërë për të gjetur një publik më të gjerë?

Po dhe është një zgjidhje që publikut në përgjithësi i pëlqen. Të fillosh me muzikë klasike si Mozart e Brahms është një gjë e mirë për higjienën e trurit dhe të vijosh me pulsin e muzikës xhaz apo klezmer (e cila ngjan shumë me muzikën tonë) është mirë për rrahjet e zemrës.

Si instrumentist keni zgjedhur Francën për të zhvilluar aktivitetin artistik. Pas kaq vitesh është zgjedhja e duhur?

Besoj se po. Franca është një vend ku kultura ka një rol të rëndësishëm, të paktën për momentin. Kjo më jep mundësinë të zhvilloj aktivitete të ndryshme.

Në program thuhet se do të ketë edhe këngë shqiptare. Mund të na thoni pak më tepër?

Po, janë tri këngë shqiptare që janë përshtatur për orkestër dhe jam i kënaqur, sepse të luajtura nga një orkestër “klasike” tingëllojnë në mënyrë shumë autentike. është një pjesë e programit shumë e pëlqyer nga publiku.

Klarineta për publikun shqiptar është nga ato instrumente shumë popullore. çdo të thotë për ju të jesh profesionist në klarinetë?

Klarineta është një instrument relativisht i ri në raport me instrumentet e harqeve, por shumë kompozitorë i janë përkushtuar, duke shkruar koncerte dhe pjesë muzike dhome, ku i japin një rol të rëndësishëm. Profesioni im parashikon pikërisht që me anë të këtij instrumenti të shpreh sa më qartë shkrimin e kompozitorëve, kurse klarinetisti popullor i përmbahet një teme, por në të cilën improvizon sipas humorit të tij dhe mbi të gjitha është një muzikë e transmetuar me vesh dhe jo me shkrim. Prandaj, kur muzika popullore frymëzon muzikantët klasikë jep një rezultat shumë të mirë. Mund të përmend Bela Bartok, i cili i inspiruar nga muzika popullore krijoi shumë vepra të tij, kështu i bëj një thirrje edhe kompozitorëve shqiptarë.

Ju drejtoni edhe Ansamblin Orkestral të Marcillac, një ansambël i themeluar që më 1920-n. Jeni pjesë e historisë së tij tashmë...

Që të hyj në historinë e orkestrës duhet që të lë gjëra që do ngelen me vlerë dhe shpresoj se festivali “Një mbi një tinguj” do të ketë vlerat që unë shpresoj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›