E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet panairi “Klik Ekspo Group” në Tiranë

Marrin pjesë 400 kompani nga vende të ndryshme të Europës. Berisha: Biznesi në “Klik-Ekspo Group”, dëshmi e besimit te Shqipëria

Hap dyert Edicioni i 18-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Në këtë panair marrin pjesë biznese dhe kompani nga vende të ndryshme të Europës. Kompanitë ndërkombëtare pjesëmarrëse në këtë eveniment vijnë nga Greqia, Hungaria, Italia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Franca, Austria etj., duke arritur në një total ekspozuesish së bashku me sipërmarrësit shqiptarë dhe shoqëritë e huaja që operojnë në Shqipëri deri në 400 kompani. Në hapjen e edicionit të 18-të të Panairit Ndërkombëtar te Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group, Anëtar i UFI (Organizata Botërore e Panaireve dhe Ekspozitave), mori pjesë edhe kryeministri Sali Berisha, i cili falënderoi përfaqësuesit e kompanive pjesëmarrëse dhe u shpreh, se prania e tyre në Tiranë është dëshmi e besimit, që ato kanë tek ekonomia shqiptare, Shqipëria, reformat dhe potencialet e saj. Kryeministri e nisi fjalën e tij me një përshëndetje për të gjithë organizatorët e këtij panairi, të cilin e cilësoi si shumë të rëndësishëm për jetën e vendit. Më pas, kryeministri Berisha i shoqëruar nga presidenti i shoqërisë Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj, eurodeputeti italian Francesco de Angelis, delegat për marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën në Parlamentin Europian, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka vizituan pavionet e panairit, pasi prenë fillimisht shiritin e inagurimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›