Ervin Skela merr për dore Kotbusin
Ervin Skela rezulton përsëri vendimtar për Energia Kotbusin. Në ndeshjen e djeshme ndaj Arminias së Bielefeldit, vlonjati shënoi golin e fitores, falë ekzekutimit të saktë të 11-metërshit. Fantazisti shqiptar, me këtë gol tjetër, që ka vlerën e tri pikëve, po merr "për dore" Kotbusin, që tashmë i është larguar zonës së ftohtë të renditjes. Por Skela nuk ka qenë vetëm protagonist i penalltisë, sepse gjatë pjesës së parë disa herë shërbeu për sulmuesit Sorrensen dhe Jeliç. Dhe duhet të vinte minuta e 51-të që ai të shënonte nga pika e bardhë, ashtu siç bëri edhe pak javë më parë në fitoren me Hertën. Në minutën e fundit, ai u zëvendësua nga Radeljiç, teksa stadiumi në shenjë respekti duartrokiti lojën e shqiptarit. Me formën e mirë që po kalon, duhet thënë se mesfushori i kombëtares është kthyer në një golashënues tipik, (katër gola në pesë javët e fundit) dhe pa dyshim një idhull për tifozët e Kotbusit. Loja e tij është vlerësuar shumë edhe nga komentet e mediave më prestigjioze në Gjermani.
Kthehet Kapllani, Lala 90 minuta
Pas mosaktivizimit në tri ndeshjet e fundit, sulmuesi shqiptar i Karlsruhes, Edmond Kapllani, i është kthyer fushës, por ka qenë i pafat për ekipin e tij, që dje ka humbur në "shtëpi" me Hansën e Rostokut. Durrsaku i kombëtares u fut në lojë në minutën e 55-të, kur rezultati ishte 0-1 për Hansën, por nuk arriti të bënte diçka të mirë për Karlsruhen. Ndërkohë, në fitoren e Hanoverit me Eintrahtin e Frankfurtit, Altin Lala, si zakonisht luajti 90-minuta, teksa spikati për shpirtin e tij luftarak në dyluftimet me kundërshtarin, ku pjesë e këtyre të fundit ishte edhe kosovari Faton Toski. Ky i fundit ishte rreziku kryesor për mbrojtjen e Hanoverit.
Riedi nuk fiton dot pa Salihin
E kishte parashikuar trajneri i Riedit, që mungesa e Hamdi Salihit do të ndikonte shumë në ndeshjen e radhës, dhe kështu ndodhi. Riedi nuk arriti të fitonte përballë Lask Linzit në fushën e vet, ndërkohë që golashënuesi më i mirë i tyre, shkodrani Salihi, kishte plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Kjo është diçka e rrallë për sulmuesin, i cili si asnjëherë tjetër këtë kampionat është ndëshkaur 6 herë me karton të verdhë. Por 12 golat e tij kanë vlejtur shumë për një ekip si Riedi.
Haxhi, kartonët i kthehen në zakon
Mungoi javën e kaluar në fitoren e Apoelit për shkak të kartonëve, ndërsa po dje u ndëshkua përsëri me një të tillë, i cili është i shtati për të, në 15 ndeshje të zhvilluara. Me sa duket, për Altin Haxhin kartonët e verdhë janë kthyer në një zakon. Mesfushori "veteran" luajti 90 minuta për Apoelin, që humbi 1-0 me Aekun në transfertë. Ndërkohë, Anorthsosi i Arjan Beqajt luan sot në fushën e vet me Omonian.