Sevilja kërkon 25 milionë euro për Dani Alvesin
Edhe pse gjendet nën trysni përpara ndeshjes së sotme kundër Majorkës, trajneri i Seviljas, Manolo Himenez, mori mbështetje të plotë dje nga presidenti i klubit, Hoze Maria del Nido. Himenezi ka patur ulje e ngritje në periudhën e drejtimit të tij, pasi zëvendësoi tepër të suksesshmin Huande Ramos në muajin tetor dhe ditët e fundit përflitet, se ai nuk do të jetë në drejtim të skuadrës vitin e ardhshëm. Për këto arsye, presidenti Del Nido i shprehu dje gjithë besimin e tij trajnerit të përzgjedhur: "Atij i mbeten edhe dy vite kontratë këtu në Sevilja dhe ai i ka mundësitë për t'ia shfaqur vlerat e tij tifozëve dhe gjithë qytetit tonë. Nuk kam asnjë dyshim në mendje se ai do të jetë trajneri ynë për shumë vite". Pozicioni i Himenezit do të forcohet pa dyshim më tepër, në rast se e çon Seviljan midis katër skuadrave të para të Primeras, që nënkupton një tjetër sezon në Ligën e Kampionëve. Andaluzianët nuk duket ta kenë të pamundur këtë detyrë. Fitorja 2 0 e fundjavës së kaluar ndaj Viljarealit të vendit të dytë e la Seviljan në vendin e gjashtë, pesë pikë larg Atletikos së vendit të katërt. "Me fitoren e javës së kaluar, ne mund të luajmë me optimizëm në ndeshjet e mbetura dhe të japim maksimumin", shtoi njëshi i klubit të Seviljas. "Do të jetë i vështirë kualifikimi për në Champions in e ardhshëm, por unë besoj se ka ende një mundësi të vogël. Nuk mund ta shpallim të humbur betejën, kur ekziston ende një mundësi". Del Nido komentoi gjithashtu edhe të ardhmen e yllit të skuadrës, Daniel Alves, i cili pritet të jetë subjekt spekulimesh edhe këtë verë. Barcelona është vetëm klubi i fundit në radhë, që lakohet me brazilianin e krahut të djathtë, por Del Nido u shpreh: "Ata ofrojnë 25 milionë euro. Me këtë shumë, unë u shes atyre këpucët e Daniel Alvesit, të cilat mund t'ia veshin një lojtari të skuadrës së tyre të të rinjve. Braziliani është një lojtar fantastik, ndoshta mbrojtësi i djathtë më i mirë në botë për momentin dhe dëshiroj, që ta shikoj këtu edhe për katër vitet e ardhshme. Nga lojtarët e mi dua përqendrim deri në fund të sezonit. Nuk dëshiroj që ata të mendojnë për të ardhmen e tyre, në një kohë kur ka ende një mundësi kualifikimi për në Ligën e Kampionëve. Deri në verë, unë nuk do të dëgjoj asnjë ofertë".