E Diel, 1 Nëntor 2026

Ese/Nga kulti i Stalinit dhe Enverit tek debilizimi si sindromë kolektive

Ju kujtohet? Kur vdiq Mbreti Zog, komunistët thanë shyqyr. Kur vdiq Stalini, në sheshin Skënderbej komunistët shqiptarë u gjunjëzuan. Kur vdiq Enveri, plasi qarja histerike dhe shkulja kolektive e flokëve. TVSH jepte muzikë funebër: i Pavdekshmi kishte vdekur. Por pse qanë shqiptarët kur vdiq Enver Hoxha? Ndrojë dhe frikë. Argumentimi deri më tani i këtyre pyetjeve ka qenë se përgjigja gjendet tek figura e ndërtuar sistematikisht nga propaganda e Enverit si udhëheqës, më pas si baba, si totem dhe më së fundi si vëllai i madh në lidhje me masën e cila duke qenë e ç’individualizuar dhe e tjetërsuar në identitetin e vet, identifikohet me të dhe bëhet pjesë e ambivalencës së ndjenjave, dashurisë dhe urrejtjes për diktatorin e vdekur. Një debilizim kolektiv, njëfarë sindrome Stokholmi: dashuri me xhelatin, në formë kolektive. Vetëm ca kokrra dhe ata që ishin në burg nuk i bënë homazhe dhe as e vajtuan tiranin.
Sidoqoftë për shumë persona që s’e kanë jetuar atë kohë, qarja kolektive për Enverin mund të tingëllojë absurde, siç ka qenë absurd total komunizmi në Shqipëri. Distancimi nga besimi religjioz dhe nga vlerat tradicionale:zakonore dhe kanunore, të mbrujtur me ideologjinë nacional-komuniste dhe hyjnizimin metodik i Enverit, brezi që u gjet në burgun komunist përjetoi një nga vakuumet më të tmerrshme sa historike aq dhe histerike; një jetë surreale e pa ide. Afërmendsh mënyra se si u ngrit kulti i Enverit në vendin tonë, në imitim me atë të Stalinit në Rusi, bëri që në vdekjen e tij të shtohej budallallepsja, pasi boshllëku që la vdekja e Enverit, kishte qenë më e madhe se vendi që zinte ai në të gjallë.
Teksa po lexoja publicistikën e Faik Konicës, i vetmi shqiptar që nuk i ngjau askujt – sytë më ndaluan mbi shkrimin: “Zakoni i Skllavërisë”, ku rrëfen diçka që mund të na ndihmojë sot për të zbiriliruar faktin historik që na intereson. Konica shkruan se “Skllavëria, siç çdo pësim tjetër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në fund një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë përmbi zverk e durojnë më gëzim. Veçanërisht atyre skllavëria që lindin skllav, u është bërë si një natyrë e dytë; dhe ata jo vetëm s’marrin vesh çdo me thënë liri, por e ndjejnë një farë urrejtje për mbrojtësit e lirisë dhe ushqejnë respekt më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit”. Natyrisht për të provuar sa tha më lart, Faik Konica e shpjegon me ngjarje të vërteta: “Këto që themi s’janë teori të thata. Kemi fakte historike që e provojnë. E dini të gjithë se nga 1861 deri në 1865, në Amerikë u bë një luftë civile e madhe mes shteteve të Veriut dhe shteteve të Jugut. Veriu, me Lincoln-in si President, i quajti të gjithë skllevërit të lirë. Jugu, nuk e pëlqeu këtë veprim. Jugu deshi t’i mbajë skllevërit si një institucion legal, dhe u nda nga Veriu duke u vetëshpallur një republikë më vete me Jeferson Davis-in si president. Fundin e di çdo njeri: Jugu u mund, Amerika u bashkua përsëri, dhe skllavëria u zhduk përgjithnjë. Lincolni u vra në mbarim të luftës. Davis rrojti gjer më 1899, si njeri privat, dhe më e bukura është seç ngjau kur vdiq ky njeri që kish derdhur gjak për të mbrojtur skllavërinë: ndodhi një gjë e çuditshme, që 2 mijë ish-skllevër e qanë qivurin e Davis-it”!
Unë them se përshkrimi i Konicës na ndihmon të shpjegojmë forcën e zakonit të atyre që e qanë Dullën, më 11 prill 1985.
(Sh. Xoxi)

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›