E Diel, 1 Nëntor 2026

Përkujtohet sot 65-vjetori i shpërthimit të parë bërthamor në Hiroshima

Qyteti japonez i Hiroshimës përkujton sot 65-vjetorin e hedhjes së bombës së parë atomike. Më 6 gusht të vitit 1945, në 8.15 ora lokale avioni luftarak amerikan “Enola Gay” hodhi bombën e parë bërthamore të përdorur ndonjëherë në historinë e luftës mbi qytetin japonez. Brenda pak muajsh, përllogaritet të kenë vdekur 140 mijë vetë, kjo si pasojë edhe e rrezatimit radioaktiv të krijuar nga një shpërthim i atyre përmasave.
Dhjetëra mijëra njerëz me lule në dorë, u lutën dhe mbajtën një minutë heshtje në "Parkun Përkujtimor të Paqes" të Hiroshimës pranë "ground zero" ku bomba shpërtheu më 6 gusht 1945, duke vrarë mijëra njerëz dhe duke rrafshuar qytetin.
Shume nga pjesemarrësit shprehën besimin e tyre ndaj administratës amerikane të presidentit Obama që është angazhuar për një botë pa armë nukleare. Në orën e shpërthimit, në tempuj e kisha ranë kambanat për të kujtuar mijëra vetat që vdiqën nga bomba atomike dhe të atyre që vdiqën më pas nga rrezatimi.
Por cilat ishin arsyet që i shtyn amerikanët të ndërmerrnin një sulm ushtarak nuklear ndaj Japonisë dhe si u justifikua hedhja e kësaj bombe bërthamore në Hiroshima? A ishte paralajmëruar Perandoria Japoneze e asaj kohe për një sulm të tillë të mundshëm nga ana e amerikanëve? Kur blloku Berlin-Romë-Tokio mori një goditje të fuqishme me kapitullimin pa kushte të Gjermanisë Naziste dhe Italisë fashiste, Perandoria japoneze i përballonte akoma sulmet e amerikanëve në perëndim dhe të rusëve në lindje, kjo si pasojë e pozicionit gjeografik që e favorizonte nga ana strategjike. Amerikanët e dinin se Japonia nuk do të dorëzohej kurrë pa kushte në qoftë se nuk do të ndërmerrnin një sulm ushtarak që do të rezultonte në shkatërrimin e pashmangshëm e të plotë të forcave të armatosura japoneze ashtu siç do të rezultonte në mënyrë të pashmangshme me shkatërrimin e plotë të atdheut japonez, e shprehur kjo si një ultimatum në Konferencën e Potsdamit nga vetë presidenti amerikan Truman. Megjithëse në komunikatën e tij nuk u përmend fjala bombë, u la të nënkuptohej se sulmi do të ishte shkatërrues dhe rrjedhimisht do ta çonte Perandorinë Japoneze drejt kapitullimit. Ky ultimatum nuk u mor parasysh nga zyrtarët japonezë të cilët e shihnin atë si një “përpunim” të deklaratave të Kairos dhe në këtë këtë mënyrë e injoruan atë. Madje vetë perandori Hirohito replikoi ndaj deklaratës së presidentit Truman duke u shprehur se Perandoria e shenjte Japoneze do të mbrohej me çdo kusht. Në fillim të korrikut, në rrugën e tij për në Potsdam Truman kishte ri-shqyrtuar vendimin për të hedhur bombë bërthamore ne Japoni. Ai u shpreh se qëllimi i hedhjes së kësaj bombe do të ishte për të sjellë një zgjidhje të shpejtë për luftën dhe se do të rezultonte në një shkatërrim të paimagjinueshëm saqë do të përhapte frikë në radhët e Perandorisë Japoneze, duke e detyruar atë të kapitullonte pa kushte.
Qyteti japonez i Hiroshimës u zgjodh nga amerikanët si një objektiv primar për një sërë arsyesh. Së pari Hiroshima gjatë luftës së dytë botërore ishte një qendër e me rëndësi të madhe industriale e ushtarake. Një numër i madh kampesh ushtarake ishin vendosur në këtë qytet duke përfshirë edhe selinë e Divizionit të Pestë, si dhe Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, e cila komandonte mbrojtjen e Japonisë jugore. Nga ana tjetër aty ndodheshin industritë më të rëndësishme që mbanin në këmbë ekonominë japoneze.
6 gushti u zgjodh si datë për hedhjen e bombës sepse ajo ishte dita që kishte më pak re në qiej dhe çka e bënte objektivin e shpërthimit të qartë. Tre ditë më pas u hodh bomba e dyte bërthamore në Nagasaki dhe me 15 gusht Japonia kapitulloi duke i dhënë fund luftës në paqësor dhe për rrjedhojë edhe luftes së dytë botërore. 6 gushti do të mbahet mend si data që e ndryshoi komplet konceptin e njeriut për luftën.
Përgatiti Redi Agolli

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›