E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eshton thirrje Prishtinës dhe Beogradit: Përshpejtoni dialogun

Shefja për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Europian, Kethrin Eshton ka bërë thirrje për përkushtim të Prishtinës zyrtare dhe Beogradit lidhur me vazhdimin e dialogut. Gjatë një fjalimi para Parlamentit Evropian në Strasburg, Eshton ka kërkuar nga dy Kryeministrat respektivë angazhim për çuarjen përpara të dialogut.

“Kur kam takuar kryeministrin Hashim Thaçi, presidentin Nikolliq dhe së fundi kryeministrin Daçiq, kam thënë se do të angazhohem vetë në çuarjen përpara të dialogut. Por, ata duhet të jenë të përkushtuar, që të gjejnë mënyrat përmes së cilave, do të ndihmojnë njerëzit, jetët e të cilëve po vështirësohen çdo ditë për shkak të tensioneve të vazhdueshme dhe sfidave në atë zonë”, ka thënë Eshton.

Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, deri në fillim të këtij viti janë zhvilluar negociata teknike mes Kosovës e Serbisë, ku gjatë nëntë raundeve janë arritur 7 marrëveshje. Zbatimi i tyre ka shënuar ngecje, ndërkohë që nuk dihet ende nëse dialogu i ardhshëm do të ngrhet në nivel më të lartë politik dhe as temat të cilat mund të diskutohen në të.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›