E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Etapa e katërt, surpriza në Rrethin Çiklistik

Etapa e parafundit e Rrethit të 79-të Çiklistik të Shqipërisë, e cila pati itinerarin Vlorë – Gjirokastër, ka sjellë surpriza. Jo vetëm për shkak të fituesit të saj, që ishte bullgari Lashezar Angelov, përfaqësues i Hemus-1896, por sepse tanimë ka ndryshuar kryesuesi i renditjes së përgjithshme. Që do të thotë se gjithçka në prag të etapës së fundit, Gjirokastër – Fier, kryesohet nga rumuni Kristian Raileanu, i cili ka marrë 20 sekonda nga Ylber Sefa, që tanimë ndodhet në vendin e dytë. Një etapë e vështirë, e cila ishte e gjatë 130.8 kilometra, ndërsa shpejtësia orare ishte 43.708 kilometra në orë. Në këtë etapë të katërt të Rrethit të 79-të Çiklistik të Shqipërisë ishin finishe.

I pari, në një sprint të ndërmjetëm, në kilometrin e 45-të fituar nga Dushan Kalaba i kombëtares së Serbisë. Kurse i dyti në një finish malor në kilometrin e 69-të fituar nga britaniku Rajan Uotkins. Mikel Demiri ka mbajtur fanellën e kuqe, si dhe vendin e parë në renditjen e përgjithshme për moshën deri 23 vjeç. E sakaq, pas katër etapash, renditja ekipore kryesohet nga Shqipëria. Menjëherë pas përfundimit të etapës, bullgari Lashezar Angelov do të shprehej kështu për mikrofonin e RTSH Sport.

“Një fitore e rëndësishme, ndërsa kishim dhe vështirësitë tona, ndoshta dhe për shkak të mosnjohjes së rrugës. Një fitore që erdhi në një finish të rrëmujshëm, por që në fund ia dola dhe nga mbështetja që më dha skuadra. Çiklizmi nuk është punë individuale, por fitore në grup. Dhe gjithçka shkon për ekipin tim”.

Ndërkohë në ceremoninë e shpërndarjes së trofeve, atje ku një Mirënjohje shkoi dhe për kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, si presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, ashtu dhe kryebashkiaku i qytetit të gurtë kanë patur një sërë falënderimesh dhe mesazesh për të gjithë. Në ceremoni ka qenë i pranishëm dhe sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Gerti Shima.

Rrethi i 79-të i Shqipërisë në Çiklizëm përfundon të shtunën me etapën Gjirokastër – Fier.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›