Luiza Gega shkëlqen në Mançester

Luiza Gega shkëlqen në daljen e saj të parë ndërkombëtare për garat e verës, ndërsa në Ëorld Tur në Mançester është fituese në garën e saj të preferuar 3000 metra me pengesa. Jo vetëm kaq, por me kohën 9’20”79 ka vendosur dhe rekordin e stadiumit në të cilën u zhvillua mitingu, teksa më parë ishte 9’30”00. Një garë e dominuar totalisht nga Luiza Gega, e cila i ka lënë gati 3-4 xhiro nga pas konkurrentet e saj, të cilat e kanë patur të pamundur ta ndalin të artën e atletikës shqiptare.
E kjo kohë, duke llogaritur rekordin kombëtar që ka vendosur në Doha 9’19”93, është rezultati i dytë më i mirë për Gegën në pjesëmarrjet e saj në 3000 metra me pengesa. Një rezultat që llogaritet në më të mirët e Europës për këtë vit, por ndërkohë siguron dhe kualifikimet për garat e ardhshme ndërkombëtare të paktën për 2023, duke përfshirë dhe Lojërat Olimpike Europiane.
Luiza Gega tanimë do të marrë pjesë të hënën në një tjetër miting ndërkombëtar të World Tur, që bëhet në Hengelo të Holandës. Sërisht në 3000 metra me pengesa, ndërsa është siguria më e madhe jo vetëm për medalje në Kampionatin Ballkanik në Rumani më 17-18 qershor, por dhe në Lojërat Mesdhetare në Oran. Ndaj atletika shqiptare sot është krenare me Luiza Gegën.