Ethet e Nilit Perëndimor, shtohen rastet e personave të prekur në Rumani

Është rritur numri i personave që janë prekur nga virusi I Nilit perëndimor në Rumani. Tre prej tyre humbën jetën pasi e morën virusin nga pickimi i mushkonjave ndërkohë që për sëmundjen nuk ka ndonjë vaksinë apo trajtim specifik antiviral.
Shumë raste diagnostikohen kur shkojnë në spital me meningjit ose meningokok. Të moshuarit ose ata që kanë sëmundje kronike paraqiten me simptoma më të rënduara. 2 nga 10 të infektuar paraqesin simptoma të lehta që u ngjajnë atyre të një viroze. Përveç etheve, lodhjes dhe të vjellave, të prekurit mund të kenë edhe dhimbje trupi apo edhe irritime të lëkurës.
Ka gjithashtu edhe raste të rralla me infeksione të rënda të sistemit nervor, që mund të çojnë në paralizë, spazma, humbje të shikimit dhe rënie në koma. Simptomat mund të vijojnë për disa muaj. Virusi i Nilit perëndimor transmetohet nga mushkonjat femër.
Për të shmangur pickimet, njerëzit këshillohen të mbulojnë të gjithë trupin, të shmangin zonat ku ka shumë bimësi dhe lagështirë, të përdorin spraj kundër mushkonjave, të vendosin rrjeta nëpër dritare dhe thajnë pellgjet e ujërave ku mushkonjat mund të shumohen.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh/