Studimi: Më shumë shi dhe më pak borë po i bëjnë Himalajet të rrezikshme

Shirat e rrëmbyera dhe vrulli i ndërtimeve po shkaktojnë fatkeqësi natyrore që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në krahinën indiane të Himalajve. Por një shtim i pazakontë i reshjeve të shirave po e bën terrenin akoma dhe më të rrezikshëm.
Këtë muaj, rrëshqitjet e dherave dhe reshjet iu kanë marrë jetën dhjetëra personave në krahinë, ndërsa kanë dëmtuar edhe ndërtesa.
Dëme janë regjistruar edhe pjesë të Nepalit dhe Pakistanit ku shtrihet vargmali i Himalajeve. Sipas një studimi më të fundit, zonat malore në të gjithë botën, përfshi edhe Himalajet, po dëshmojnë rritje të nivelit të shirave dhe më pak reshje dëbore.
Shkencëtarët thonë se ky ndryshim i ka bërë malet më të rrezikshme, pasi temperaturat e larta jo vetëm që sjellin shi, por edhe përshpejtojnë shkrirjen e dëborës dhe akullit. Kjo sasi e madhe uji pasohet nga rrëshqitje dherash si dhe përmbytje.
Gjetjet tona japin prova për shpeshtimin e ngjarjeve ekstreme të reshjeve si pasojë e ngrohjes në lartësitë e mëdha, veçanërisht në krahinat e hemisferës veriore, ku më parë ka mbretëruar dëbora, thuhet në studimin e publikuar në revistën “Nature”.
/rtsh/