E Diel, 1 Nëntor 2026

Ethet presidenciale, në garë Xhezair Zaganjori

Midis shumë emrave të përfolur, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kanë nxjerrë kandidat të përbashkët anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori.

Deri më tani, nuk ka një konfirmim nga opozita se do të japë votën e saj, ndërsa negociatat po zhvillohen në mënyrë intensive. Kandidatura e Zaganjorit doli pas tre takimesh të njëpasnjëshme të zhvilluar ditën e djeshme midis drejtuesve të partive të koalicionit qeverisës.

Nëse votimi i sotëm dështon, pasi ky raund kërkon votat e 84 deputetëve për të zgjedhur Presidentin e ri, atëherë votimi tjetër pritet të zhvillohet pas një jave. Tre votimet e para kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash, ndërsa dy votimet e tjera kërkojnë shumicë të thjeshtë prej 71 votash.

Nëse dështojnë të gjitha votimet pa u zgjedhur dot Presidenti i ri, atëherë Parlamenti shpërndahet për të shkuar në zgjedhje të përgjithshme.

Kush është Xhezair Zaganjori

Prof.As.Dr. Xhezair Zaganjori lindi më 9 mars 1957 në Shkodër. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Evropiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Evropiane, Tiranë.

Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në RF të Gjermanisë. Në vitin 1993 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2002 “Profesor i Asociuar”. Ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, Heidelberg.

Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. Është autor i një sërë botimesh shkencorë brenda dhe jashtë vendit. Është pjesëmarrës aktiv në Kongrese e Konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2003 ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. /Start/

                                                                                             2012-05-30 08:31
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›