E Shtunë, 31 Tetor 2026

Etika në mjekësi

‘Bamirësia e Nënë Terezës e parë nëpërmjet lenses së etikës mjekësore’ titullohet ligjërata e sociologut Gëzim Alpion, ligjëratë kjo që do të mbahet në kuadër të konferencës ndërkombëtare ‘Etika në mjekësi’ në Tiranë.

Studiuesi i sociologjisë dhe i mediave Gëzim Alpion, i cili është profesor në Universitetin e Birmingham-it në Britani të Madhe, do të paraqitet me një ligjëratë në Tiranë. ‘Bamirësia e Nënë Terezës e parë nëpërmjet lenses së etikës mjekësore’ titullohet ligjërata e Alpionit, e cila do të mbahet më 31 mars në Tirana International Hotel,

në kuadër të konferencës ndërkombëtare ‘Etika në mjekësi’.

“Nënë Tereza shpesh është kritikuar si nga kundërshtarët e tipit të Christopher Hitchens (1995) dhe Aroup Chatterjee (2003) ashtu edhe nga disa admirues dhe vullnetarë që punuan në qendrat e saj të bamirësisë se, sipas tyre, ajo nuk bëri aq sa duhej për të ndihmuar të braktisurit që kishte nën kujdes”, shprehet, midis tjerash, Alpion.

Në këtë kumtesë, pasi identifikon shqetësimet e para në lidhje me ‘dështimet’ e Nënë Terezës në fillim të viteve 1980-të, ai përqendrohet në natyrën e akuzave ndaj kësaj ikone të humanizmit dhe përkushtimit fetar gjatë viteve 1990-të, veçanërisht pas transmetimit në Britaninë e Madhe në Kanalin 4 në vitin 1994 të programit ‘Engjëlli i ferrit’.

Në pjesën e dytë të ligjëratës, Alpion argumenton se kundërshtarët e Nënë Terezës nxjerrin konkluzione të gabuara për natyrën e aktivitetit të saj misionar sepse ata nuk arrijnë të kuptojnë motivet e vërteta që e shtynë atë të bëhej murgeshë në vitin 1928.

“Për mendimin tim, qëndrimi i Nënë Terezës ndaj ‘njerëzve të pavlerë’ qartësohet po qe se i kushtohet vëmendje ‘gruas private’ po aq sa dhe ‘murgeshës publike’.

Kjo gjë mund të bëhet në mënyrë të efektshme po qe se kuptohet si duhet rëndësia e thirrjes së sociologut C Wright Mills për të ndërlidhur biografinë me historinë. Kjo ‘ndërlidhje’ përbën thelbin e asaj që Mills e quan ‘imagjinatë sociologjike’, që duhet të përbëjë thelbin e çdo studimi social, pavarësisht nga përkatësia apo lidhja me një disiplinë të veçantë, për të përmbushur ‘qëllimin e tij intelektual’”, u shpreh Alpion.

Në fund, ai konkludon se në rastin e Nënë Terezës, kjo ‘ndërlidhje’ është e një rëndësie parësore për të kuptuar shkallën në të cilën ‘karizma’ (forca tërheqëse e personalitetit) e Nënë Terezës buronte nga ‘karizm’-i (thirrja shpirtërore) i saj si dhe nga roli që të sëmuret dhe të vobektët përmbushën në misionin e saj si murgeshë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›