E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të tradhtuar nga mikrofonat

Presidenti aktual i SHBA-së, Barack Obama, është tradhtuar nga mikrofonat e aktivizuar në tri raste të ndara. Dhe të hënën, kjo i ndodhi sërish. Mikrofonat “kapën” Obamën duke i thënë presidentit të Rusisë, Dimitri Medvedev, pas një takimi në Seul, se ai do të jetë më fleksibil në përballjen me çështjet, siç është mburoja raketore, pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Por ai nuk është i vetmi president apo burrështetas, që është tradhtuar nga mikrofonat.

Mikrofonat për një kohë të gjatë kanë qenë si miqtë, ashtu edhe armiqtë më të mëdhenj të politikanëve.

Në vitin 1948, për shembull, Thomas E.Dewey, u fut në telashe, kur treni me të cilin po udhëtonte lëvizi në drejtim të turmës së ithtarëve të tij në Illinois, pikërisht në momentin kur kandidati i republikanëve për president të SHBA-së po përgatitej për të folur në mikrofon. “Është ky i çmenduri i parë që kam pasur për drejtues të trenit. Ai me gjasë duhet të ekzekutohet me lindjen e diellit”. Rivali i tij demokrat, Harry Truman, menjëherë e shfrytëzoi këtë për të lavdëruar ekuipazhin “demokrat” të trenit.

Mund të mendoni se kemi mësuar ca gjëra gjatë këtyre dekadave që kanë kaluar, por me gjasë nuk është ashtu. Presidenti aktual i SHBA-së, Barack Obama, është tradhtuar nga mikrofonat e aktivizuar në tri raste të ndara. Dhe të hënën, kjo i ndodhi sërish.

Mikrofonat “kapën” Obamën duke i thënë presidentit të Rusisë, Dimitri Medvedev, pas një takimi në Seul, se ai do të jetë më fleksibil në përballjen me çështjet, siç është mburoja raketore, pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Ja transkripti i kësaj bisede:

Obama: Në lidhje me të gjitha këto çështje, në veçanti për mburojën raketore, këto gjëra mund të zgjidhën, por është me rëndësi që ai të më jep hapësirë.

Medvedev: Po, po e kuptoj porosinë tënde për hapësirë. Hapësirë për ty.

Obama: Janë këto zgjedhjet e mia të fundit. Pas rizgjedhjes, do të kemë më shumë fleksibilitet.

Medvedev: E kuptoj, do t’ia përcjell këtë Vladimirit.

Kjo bisedë ka tërbuar konservatorët në SHBA.

Megjithatë, nuk është kjo hera e parë që mikrofonat tradhtuan politikanët. Gjatë samitit të grupit G20 në Cannes, në Francë, në nëntor të vitit 2011, gazetarët të cilët aktivizuan përkthimin, para se të udhëzoheshin që ta bënin këtë, dëgjuan presidentin francez, Nicolas Sarkozy, duke e cilësuar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, “një gënjeshtar të cilin nuk mund ta durojë”, gjatë diskutimit për votën franceze në favor të anëtarësimit të Palestinës në UNESCO. “Ti je i ngopur me të, por unë jam i detyruar të merrem çdo ditë me të”, u përgjigj Obama.

Këto komente sërish trazuan republikanët, të cilët kërkuan nga Obama që t’i kërkojë falje Netanyahut, e gjithashtu trazuan edhe komunitetin hebraik në Francë.

Në fund të një konference të përbashkët, të zhvilluar në Moskë në tetor të vitit 2006 mes Vladimir Putinit dhe kryeministrit izraelit, Ehud Olmert, gazetarët dëgjuan Putinin duke bërë shaka në lidhje me akuzat për dhunim ndaj presidentit të atëhershëm të Izraelit, Moshe Katzav.

“Çfarë mashkulli i fuqishëm po dëshmohet. Ai ka dhunuar dhjetë femra, kurrë nuk do të kisha besuar se do të mund ta bënte. Na ka befasuar të gjithëve. Të gjithë ja kemi zili”, pat deklaruar Putin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, më vonë pranoi se Putini e ka bërë këtë shaka, por shtoi se “kjo assesi nuk do të thotë se mirëpret dhunimin”. Ai shtoi se rusishtja është një gjuhë tejet e komplikuar, e nganjëherë tejet e ndjeshme nga këndvështrimi i parafrazimit.

E përditshmja ruse, Kommersant, e përmblodhi më së miri këtë kundërthënie. “Ishte ky një prej atyre momenteve, kur njeriu nuk i beson veshëve të tij”, shkroi kjo gazetë.

Në korrik të vitit 2006, gjatë një dreke të shtruar për pjesëmarrësit e takimit të grupit G8 në Rusi, mikrofoni i aktivizuar kapi fjalët e presidentit amerikan, George Bush, drejtuar kryeministrit të atëhershëm të Britanisë, Tony Blair, në lidhje me qëndrimin e OKB-së për konfliktin mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban. “Ironia është se e tëra që duhet të bëjnë është të detyrojnë Sirinë që të bindë Hezbollahun që ta ndal këtë marri dhe çdo gjë merr fund”.

Bushi nuk ka ngarkuar aq tepër kokën me këtë incident, por vetëm kishte qeshur, kur kishte lexuar transkriptin, i pati thënë gazetarëve përfaqësuesi i Shtëpisë së Bardhë për shtyp, Tony Snow.

Në korrik të vitit 2005, gazetarët francezë dëgjuan presidentin e Francës, Jacques Chirac, duke bërë shaka me ushqimin britanik, gjatë një takimi me kancelarin gjerman, Gerhard Schroder dhe presidentin rus, Vladimir Putin. “E vetmja gjë, me të cilën britanikët i kanë kontribuar bujqësisë së Europës, është sëmundja e lopëve të çmendura. Nuk mund t’i besosh njerëzve, të cilët përgatisin kaq keq. Pas Finlandës, Britania është shteti me ushqimin më të keq”, pati thënë Chirac.

Në gusht të vitit 1984, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Ronald Reagan, bëri gafin më të madh para një mikrofoni të aktivizuar që është regjistruar ndonjë herë. “Bashkëkombës të mi amerikanë”, bëri ai shaka, gjatë kontrollit të mikrofonit para fillimit të një fjalimi në radio. “Më vjen mirë që jam në gjendje t’iu njoftoi se kam nënshkruar ligjin, me të cilin e kemi shndërruar Rusinë në një shtet të paligjshëm. Bombardimi do të fillojë pas pesë minutave”.

Pas rrjedhjes së këtij komenti, ushtria sovjetike për një kohë të shkurtë shtoi gjendjen e gatishmërisë, ndërsa zyrtarët amerikanë u desh të bindin Moskën se ishte kjo vetëm një shaka e Reaganit.

Siç kemi mësuar në dekadat që nga ky lëshim skandaloz i Reaganit, madje edhe presidentët e shteteve të mëdha nganjëherë harrojnë të shkyçin mikrofonat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›