Zgjedhjet e 2013-ës dhe votuesit e 2021-shit
Në një opinion të Ermal Hasimes të titulluar Shqipëria pas 10 vjetësh (ribotuar në respublica.al http://www.respublica.al/permbajtje/2012/4/25/shqiperia-pas-10-vjetesh), autori arrin në përfundimin që, nëse duam të përllogarisim ndryshimin pas 10 vjetësh, do të duhet ti heqim sytë nga drejtuesit e vitit 2022 dhe ti kthejmë sytë nga votuesit e vitit 2022. Thënë më shkoqur, Hasimja mbron tezën se, pas 10 vjetësh, gjërat mund të ndryshojnë për mirë në Shqipëri, në qoftë se votuesit ndryshojnë për mirë. Por si do të jenë votuesit e atëhershëm?
Meqenëse viti 2022 nuk përkon me zgjedhje të pritshme (Kushtetuta parashikon zgjedhje parlamentare një herë në 4 vjet), po mundohem ti përgjigjem pyetjes së mësipërme duke e afruar një vit horizontin e parashikimit.
Në qershorin e vitit 2021 (në qoftë se nuk zhvillohen zgjedhje të parakohshme deri në atë kohë), i bie të zhvillohen zgjedhje për Kuvendin e Shqipërisë. Duke mbajtur parasysh prirjet demografike, kur të zhvillohen ato zgjedhje, çereku i banorëve të Shqipërisë në moshë për të votuar do të jenë të rinj që nuk do ta mbajnë mend kohën para ardhjes në 2005-ën të Berishës në pushtet. Dhe në qoftë se zgjedhjet e qershorit të ardhshëm i fiton Berisha, dhe nëse I Plotfuqishmi Atje Lart i jep shëndet, ata të rinj do të mbajnë mend vetëm një njeri në krye të qeverisë Berishën. Dhe ja përse.
Në qoftë se koalicioni i udhëhequr nga Berisha arrin të sigurojë të paktën 71 mandate në zgjedhjet e qershorit të ardhshëm, Edi Rama ka dy opsione: 1 Të refuzojë njohjen e rezultatit dhe të mundohet të bindë të tijët se herën tjetër nuk do ta lërë më Saliun të vjedhë vota; 2 Të pranojë humbjen dhe të largohet nga politika
Opsionin e parë Rama e vuri në përdorim pas 2009-ës dhe 2011-ës, dhe në qoftë se dështon përsëri, do ta ketë shumë të vështirë të ruajë edhe një herë kompaktësinë e bashkëpunëtorëve të tij. Por edhe në qoftë se ia del mbanë me ta, do ta ketë shumë të vështirë të bindë elektoratin e majtë se ai do të fitojë me hajdutin Berisha në 2017-ën. Dhe me një elektorat të shkuarajuar nuk mund ti fitosh zgjedhjet, edhe në qoftë se ke një ekip kompakt rreth vetes. Pra, i bie që Berisha të vazhdojë të qeverisë deri në 2021-shin
Në qoftë se Rama largohet nga politika pas një humbje të mundshme, në PS do të fillojë pa diskutim një luftë e ashpër për marrjen e kreut të saj. Ben Blushi, siç thuhet në kafenetë politike të Tiranës, ka kohë që e ka vënë shishen në rradhën e qumshtit, por shumë eksponentë të PS-së mund ta sfidojnë fort ngjitjen e tij në postin e kryetarit të partisë. Nuk është çudi që, nga sfidantët e tij, të dëgjojmë atëherë për drekat e darkat që Blushi ha me Fevziun, Frangajn, Zamirin, Gimen, etj. Në ato kushte, gjasat do të jenë të mëdha që PS-ja të dalë shumë e dobësuar nga lufta për kreun e saj, për të mos thënë se mund ti ndodhë një skizmë më serioze se ajo e 2004-ës. Pra, edhe në këtë skenar, i bie që Berisha të vazhdojë të qeverisë deri në 2021-shin
Dhe në qoftë se ndodh kështu, çereku i elektoratit të 2021-shit vetëm me të dëgjuar do ta dijë se në Shqipëri ka ndodhur një herë rotacion pushteti nëpërmjet zgjedhjeve normale. Ndërkohë ky elektorat do të ketë jetuar në një shtet, ku zgjedhjet kanë qenë thjesht një formalitet për vulosjen e qëndrimit të Berishës në krye të pushtetit dhe ku përparimi individual kushtëzohet shumë nga të qenit i lidhur me pushtetin e Berishës. Dhe ky do të jetë elektorati nga i cili do të pritet ndryshimi në 2021-shin
Në 2021-shin, Berisha, në qoftë se I Plotëfuqishmi Atje Lart i jep shëndet, do të jetë 77 veç. Dhe a do të synojë ai të vazhdojë të qeverisë? Pse jo 88-vjeçari Mugabe po rikandidon në Zimbabue për të vazhduar në krye të qeverisjes, edhe pse ka 32 vjet në pushtet
Duke u kthyer tek përgjigjia e pyetjes së fillimit, e cila u ngacmua nga shkrimi i Hasimes, mund të thuhet që, sesi do të jenë votuesit e 2021-shit dhe nëse ata do të prodhojnë ndryshim atëherë, do të varet shumë nga rezultati i zgjedhjeve të qershorit të ardhshëm. Në qoftë se zgjedhjet e pas një viti mbajnë Berishën në pushtet, në vitin 2021, me gjasa të mëdha, do të ndodhë ajo që përshkruajta më lart. Në qoftë se pas një viti do të ndodhë diçka e jashtëzakonshme për historinë 100-vjeçare të shtetit tonë rotacioni i dytë rradhazi i pushtetit me zgjedhje normale votuesit e 2021-shit do të kenë ngulitur në kokën e tyre leksionin numër një të demokracisë: Zgjedhjet janë mekanizmi më i mirë dhe me më pak kosto për ndërrimin e pushtetit.
Dhe historia ka treguar se ky mekanizëm i demokracisë, sado joperfekt, është më efektivi për të prodhuar zhvillim të qëndrueshëm në një horizont afatgjatë.
http://respublica.al/opinion/2012/4/30/zgjedhjet-e-2013-es-dhe-votuesit-e-2021-shit
