E Diel, 1 Nëntor 2026

Hepatiti B, 2 mijë të prekur në vit

Sipas një studimi nga specialistët e Shëndetësisë, në vendin tonë ka deri në 480 mijë bartës kronikë të Hepatitit B
Sëmundje e rrezikshme që kërcënon deri në vdekje dhe si të mos mjaftonte kjo rreziku i transmetimit është tepër i lartë. Bëhet fjalë pikërisht për Hepatitin B, i cili është një sëmundje ngjitëse që prek mëlçinë dhe e rrezikshme bëhet kur kthehet në sëmundje kronike. Në vendin tonë prek çdo vit të paktën 2 mijë persona. Ndërsa sa i takon bartësve kronikë të sëmundjes, në vendin tonë shifrat janë akoma më alarmante. Sipas një studimi të realizuar nga specialistët e Shëndetësisë dhe të financuar nga "Cooperazione Italiana" bëhet e ditur se në vendin tonë ka rreth 480 mijë bartës kronikë të sëmundjes. Ndërsa specialisti i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku pohon se Hepatiti B është një sëmundje e rrezikshme dhe se rreth 8 për qind e popullsisë ka kaluar Hepatitin B ose është prekur nga kjo sëmundje. Ndërkohë specialistët shpjegojnë rrugët e transmetimit dhe rrezikshmërinë e sëmundjes
Hepatiti B
Në vendin tonë ka rreth 320 mijë deri në 480 mijë bartës kronikë të Hepatiti B. Këta të fundit janë persona që edhe në mungesë të sëmundjes, përmbajnë agjentin infektiv dhe mund tua transmetojnë të tjerëve. Sipas specialistëve, do të thotë se potenciali i të sëmurëve nga kjo sëmundje mund të jetë shumë i madh nëse nuk merren masa mbrojtëse. "Në vendin tonë ka çdo vit rreth 2 mijë persona të prekur nga Hepatiti B",- bëjnë të ditur specialistët. Ndërkohë specialistët pohojnë se Hepatit B, në shumicën e rasteve shërohet por ndonjëherë bëhet kronik duke u transformuar në epati kronike apo tumor në mëlçi. Dhe pika kritike, sipas tyre, arrin pikërisht kur sëmundja neglizhohet.
Transmetimi dhe shenjat
Rreziku i transmetimit të sëmundjes është 100 herë më i lartë se ai i virusit AIDS dhe rrugët e transmetimit janë të ndryshme. Kështu, marrëdhëniet seksuale të pambrojtura, sipas specialistëve janë një ndër rreziqet kryesore për ta marrë këtë sëmundje. Ndërkohë edhe transfuzioni i gjakut dhe të derivateve të tij të infektuara është rrugë transmetimi i sëmundjes. Madje nga Hepatiti B mund të ndodhë edhe infektimi i të sapolindurit nga nëna mbartëse e virusit. "Sëmundja mund të merret edhe nga kontakti përmes lëkurës dhe mukozave lëngje biologjike të infektuara nga virusi",- pohojnë specialistët duke shtuar se kjo mund të ndodhe si pasojë e shpimeve ose prerjeve aksidentale me instrumente apo edhe nga manipulime infektuara pa mbrojtjen e duhur. Ndërsa sa i takon shenjave të sëmundjes, specialistët pohojnë se shenjat e para janë lodhje, mungese oreksi, dhimbje koke, temperaturë, të vjella.
Pasojat
10% të rasteve në një Hepatit Kronik
40 % të rasteve në Cirhose (shkatërim i qelizave të mëlçisë)
5% të rasteve në kancer të mëlçisë
Rrugët e infektimit
Marrëdhënie seksuale të pambrojtura
Nga transfuzioni i gjakut
Nga nëna tek fëmija gjatë lindjes.
Shenjat e sëmundjes
lodhje
mungesë oreksi
dhimbje koke
të vjella
temperaturë.....
Si të mbrohemi?
-Ekziston një vaksinë kundër Hepatitit B
-Bëhen 2 injeksione me një muaj interval e një e tretë mbas 6 muajsh.
-Për personat që punojnë në spitale e klinika, kjo vaksinë duhet të jetë e detyruar.
-Mbrohuni nga raportet seksuale
Personeli shëndetësor, 4 në 7 persona të infektuar nga Hepatiti B
Kontigjenti më i prekur nga hepatitet, është pikërisht personeli shëndetësor. Jo pak, por 4 në 7 prej bluzave të bardha në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" kanë kaluar sëmundjen e Hepatitit, ose janë të prekur me hepatitet. Ky është konkluzioni i studimit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, sipas të cilit, punonjësit e Shëndetësisë kanë një risk të lartë kundrejt hepatiteve. Sipas specialistëve të ISHP, studimi kishte si qëllim zbulimin e prevalencës së hepatiteve të personeli dhe mbulesa e vaksinave kundrejt këtyre infeksioneve. Në shërbim të pacientëve, por edhe pre e marrjes së hepatiteve, pikërisht nga të sëmurët. Por, ajo çka është akoma më problematike janë edhe vetë pacientët, që mund të bëhen pre e marrjes së hepatiteve, pikërisht nga personeli që iu shërben. "Jo pak, por rreth 70 për qind e personelit shëndetësor, janë bartës të hepatiteve",- thuhet në studim. Ky është fati i një armate të tërë me personel shëndetësor në QSUT, që përbëhet prej rreth 2700 personave. Sipas specialistes të ISHP-së, në këtë studim janë përfshirë 480 persona të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme nga personeli shëndetësor. Kështu, duke iu referuar të dhënave të studimit, 71 për qind e tyre rezultuan me antigen pozitiv (HbsAG) që sipas specialistëve, do të thotë që këta punonjës kanë kaluar hepatite, por u ka mbetur përsëri mikrobi në gjak. Ndërkohë, 39 persona ose 8.1 për qind e personelit rezultuan pozitivë ndaj hepatiteve, çka do të thotë sipas specialistëve se ata ishin të infektuar me hepatite. Ndërkohë, specialistët pohojnë se për të nxjerrë të dhënat mbi prevalencën e hepatiteve, janë përfshirë disa kategori të personelit shëndetësor. Kështu, pjesë e studimit kanë qenë doktorët, infermierët, të pasuar nga punonjësit e laboratorëve që merren me analiza të ndryshme dhe personeli i administratës. Kjo gjithë përfshirje e disa kategorive të personelit në studim, theksojnë specialistët, tregon se të gjithë janë faktorë risku ndaj këtyre sëmundjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›