Euro, 10 vjet histori suksesi dhe sfidash
Euroja dhe kriza e borxheve sovrane ishin në qendër të zhvillimeve politike dhe veçanërisht ekonomike e financiare të BE-së në përgjithësi dhe të eurozonës në veçanti, gjatë gjithë vitit 2011 që sapo lamë pas. Ato ishin edhe kryefjala e këtij fillimviti dhe duket se do të mbetet e tillë deri në fund të tij. Euroja mbushi 10 vjet jetë.
Duke lënë pas këta 10 vjet, në ndërrimin e viteve, Europa nuk u zgjua e qetë, pse jo, e tronditur. Plagët e krizës që përjetoi eurozona gjatë vitit që shkoi mbeten të hapura. Dhimbjet e tyre u rritën dhe u shpërndanë përtej vendeve të eurozonës. Një vit i vështirë ekonomik, financiar e social po fillon…
VITI 2012 – VIT I VËSHTIRË JO VETËM PËR EUROZONËN
Të pashtershme ishin përpjekjet e liderëve të vendeve më të zhvilluara (G-8, G-20), të SHBA, vendeve të BE-së dhe të eurozonës, të grupimeve më të fuqishme ekonomike globale dhe të institucioneve ekonomike e financiare ndërkombëtare gjatë vitit 2011. Një Aleancë Globale Antikrizë u ngrit dhe u zhvillua përmes një sërë takimesh dypalëshe e shumëpalëshe, forumesh e samitesh, me vendimmarrje për ndryshime dhe reforma gjithëpërfshirëse, politike, ekonomike e financiare (sidomos për vendet e BE-së dhe të eurozonës). Por, me gjithë progresin e arritur, kriza është ende prezente, ajo po vepron dhe ndikon në ekonomi dhe në financat publike, në jetën dhe lëvizjet sociale. Institucione, politika, instrumente, shkolla të mendimit politik dhe ekonomik po ndryshojnë, po evoluojnë. Megjithatë, jemi futur në fillimvitin 2012, në një vit të vështirë, ndoshta më i vështiri i këtyre 4-5 viteve krizë për ekonominë globale dhe veçanërisht për eurozonën. Një vit i vështirë ekonomik e financiar do të jetë viti 2012, deklaroi në ditët e fundvitit që lamë pas Kristin Lagard, drejtorja Ekzekutive e FMN-së për situatën e pritshme të zhvillimeve në ekonominë globale. Dy protagonistët kryesorë të shpëtimit të euros dhe eurozonës dhe të reformave për çuarjen përpara të bashkimit politik, ekonomik, fiskal e monetar të BE-së, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez Nikola Sarkozi, nuk munguan që në përshëndetjet drejtuar popujve të vendeve të tyre me rastin e Vitit të Ri 2012, të paralajmëronin vështirësitë dhe rreziqet e vitit 2012 dhe frikën e një recesioni tjetër ekonomik për vendet e eurozonës. Kështu, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Europa po përballet me testin më të vështirë në dekadat e fundit. Ndërsa për Presidentin francez, viti 2012 është i mbushur me rreziqe. Shumë analistë parashikojnë recesion në vitin 2012 – duke iu referuar shifrave të publikuara së fundi, që tregojnë se rritja ekonomike në kontinentin e vjetër, në periudhën korrik-shtator, ka qenë vetëm 0.2%. Me gjithë masat e marra në samitet e fundit të BE-së dhe të eurozonës, të cilat konsiderohen në drejtimin dhe rrugën e duhur, të gjithë janë të trembur se efektet do të vonojnë dhe pasiguria gjatë këtij viti do të rritet. Edhe pse ndryshimet në Traktatin e Lisbonës apo krijimi i një traktat i ri mund tu japin shtysë zhvillimeve pozitive politike në BE, edhe pse ndryshimet pozitive në Qeverisjen e përbashkët ekonomike, në rritjen e rolit të BQE-së dhe krijimit të pritshëm i Unionit Fiskal dhe miratimi e zbatimi i një strategjie të re punësimi në BE konsiderohen instrumentet më efikase të përballjes së kësaj krize, ajo, kriza, këtë vit do ti kalojë kufijtë e eurozonës dhe do të godasë akoma më tepër edhe vendet e tjera, përfshi edhe vendin tonë. Zhvillime të reja ekonomike e financiare, monetare e sociale priten që të na shoqërojnë këtë vit, dhe pa dyshim, euroja do të mbetet në qendër të vëmendjes bashkë me ekonomitë e vendeve të eurozonës dhe të vendeve të tjera të efektuara nga kjo krizë. Por çfarë do të ndodhë me to, me euron…? Por më parë le të shohim…
NJË VËSHTRIM HISTORIK NË 10-VJETORIN E EUROS
Dhjetë vite që kaluan mbetën për euron, pa dyshim, një histori e tërë suksesi dhe sfidash, me ulje dhe ngritje, me zhvillim dhe frenim, shkëlqim dhe tronditje, ëndërr dhe realitet. Kjo sepse euroja është bashkudhëtarja më e rëndësishme e BE-së në 10 vjetët e fundit. Natyrisht, rruga që përshkoi krijimi dhe zhvillimi i BE-së nuk ishte e lehtë. Kësisoj edhe rruga e euros, ndonëse më e shkurtër në kohë, ka krijuar historinë e vet, e cila nuk mund të mos jetë e lidhur me historinë e BE-së, tashme e njohur, për më tepër pjesë e rrugëtimit të saj, është bërë dhe vendi ynë, Shqipëria.
Në fakt, zanafilla e kësaj historie (BE-së), është më shumë se 60 vjet më parë (në vitin 1948), në Kongresin e Europës, ku Çërçilli shpjegoi vizionin e tij për Europën dhe ëndrrën europiane, duke krijuar kështu të ardhmen e një kontinenti (të kapur prej shekujsh nga luftërat), kur tha se ne shpresojmë të shohim një Europë ku njerëzit e çdo shteti do të mendojnë që janë europianë, ashtu siç i përkasin vendit të tyre të lindjes, dhe kudo që ata të shkojnë në këtë zonë të gjerë, me të vërtetë do të ndiejnë se këtu unë jam në shtëpinë time. (Shih: Jeremy Rifkin, The European Dream, faqe 200).
Por, më konkretisht ideja e një bashkimi jo vetëm ekonomik, por edhe monetar (UEM), është e lidhur me Traktatin e Romës (mars 1957). Që atëherë u perceptua nevoja e një monedhe unike, si një komponente logjike dhe e domosdoshme e një tregu të gjerë të brendshëm pa kufij, të karakterizuar nga qarkullimi i lirë i njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, i kapitaleve dhe në radhë të parë, i ideve. Por, hapat e parë për konkretizimin e euros janë të lidhur me Traktatin e Mastrihtit (1992), ku krahas shumë akteve e vendimeve të rëndësishme, u përcaktua gjithashtu edhe axhenda e vendosjes së monedhës së përbashkët europiane, euro, që duhet të ishte e pranuar që prej 1 janarit 1999. Traktati hyri në fuqi më 1993-shin, pas ratifikimit nga 12 vendet e BE-së.
Pra, euroja lindi si monedha e një hapësire të re e të gjerë ekonomike e financiare për disa shkaqe dhe arsye: për tu bërë një valutë e re, me referim në nivel botëror, si një alternativë ndaj dollarit amerikan dhe jenit japonez. Kjo sepse euroja synonte të bëhej instrumenti më i rëndësishëm monetar për zhvillimin e harmonizuar dhe të qëndrueshëm ekonomik e financiar të vendeve anëtare të BE-së, për ruajtjen dhe mbajtjen më mirë në kontroll të inflacionit, për zbatimin e politikave efikase të interesit dhe lehtësimin e sistemit të pagesave, për zbatimin e politikave më të shëndosha buxhetore, fiskale e monetare dhe të subvencioneve (sidomos në bujqësi), tërheqjen e më shumë investimeve në vendet dhe ekonomitë e tyre, studimin dhe përdorimin më efikas të tregut europian të punës dhe mbështetjes së zhvillimit të sektorit energjetik, të teknologjive të reja dhe edukimit, probleme këto që kanë qenë në qendër të vëmendjes së qeverive të vendeve të BE-së. Pra, siç shihet, adoptimi i euros nuk u ndërmor si një proces i thjeshtë teknik, një ndërrim tabele apo emri i kartëmonedhave të vendeve anëtare të BE-së, as thjesht një çështje e teknikës bankare. Përkundrazi, një proces shumë i rëndësishëm… politik, ekonomik, financiar e monetar. Ekzistenca e monedhave të ndryshme përfaqësonte një pengesë për vendet e ndryshme europiane që synonin bashkimin politik, ekonomik, financiar e monetar. Dhe mënjanimi i kësaj pengese do të ndihmonte në një ekspansion të tregjeve. Kjo sepse ekzistenca e monedhave të ndryshme në këtë hapësirë, gjithashtu, lehtësonte luhatje në kurset e këmbimit, stimulonte një konkurrencë të ashpër, sillte një instabilitet të kurseve të këmbimit dhe nuk i shërbente krijimit të tregut unik në shkëmbimet tregtare midis vendeve të Bashkësisë. Ky sistem u themelua me rezolutën e Këshillit të Europës në Bruksel, në dhjetor 1978, ku u nënshkrua marrëveshja midis bankave qendrore, ndërsa funksio
