E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si mund të arrihet tek Kulla e Berishajve?

Naser Aliu

Nga  Naser Aliu

Thjesht nisuni nga rruga Hamza Kastrioti dhe pas nja 700 metrave lakoni djathtas. Aty do të shihni semaforin e parë. Nëse është i kuq dhe nuk ka makina tjera, vazhdoni; se a respektoni këmbësorët, është në pushtetin Tuaj zoti Hans. Pasi ta keni lënë pas vete semaforin, atëherë lakoni përsëri djathtas dhe do të gjendeni në një udhëkryq të madh. Vazhdoni me kokëfortësi drejt, pa shikuar shumë, vazhdoni i ngrysur dhe serioz dhe pas disa minutave do të gjendeni në sheshin Mojsi Golemi.

Ngisni tutje me ballin plot rrudha, kështu u transmetoni policëve shqiptarëve se jeni i djathtë dhe mund të keni më pak kokëçarje. Tek semafori i dytë, respektoni edhe të kuqen, përndryshe rrezikoni një përplasje të keqe, nga makinat që mund të vijnë nga e djathta dhe urrejnë ata që futen nga e majta. E djathta është në pushtet zoti Hans dhe nuk është e detyruar t i respektojë Ligjet e Komunikacionit, e as Kodin Penal.

Mos vështroni gjatë përmendoren me kalë të Hamza Kastriotit, por vazhdoni me kryeneçësi të madhe drejt. Majtas mos lakoni kurrë, sepse të gjitha rrugët e djathta të shpijnë drejtë e në kryeqendër të pushtetit: Tek Kulla e Berishajve. Duke qenë i bindur se keni kuptuar përshkrimin, pas dy kilometrave, atëherë, ju lutem, lakoni përsëri djathtas dhe mu tek busti i Esat Pashë Toptanit, gjendet një çezme. Aty lani sytë mirë sepse pas katër kilometrave, do të gjendeni para përmendoreve madhështore: Tre Heronjtë e Shekullit XX: Ceno Cërnoglaviçi (në kllapa shkruan, Kryeziu) Nikolla Pashiqi dhe Ahmet bej Zogollit. Ky i fundit është pinjoll i pashait, nip i Esat Pashës, që shpalli nënën e mjerë Sadije, analfabete: Mbretëreshë të Shqiptarëve.

Nëse keni dëshirë, parkoni makinën në mes të rrugës dhe fotografohuni pranë tre heronjve shqiptarë. Nuk do të keni pengesa nga populli. Ai do ta çmojë këtë akt. Në fotografi do ta shihni ngjyrën e fytyrës që ka pllakosur lëkurën Tuaj apo gojën e çaraveshur. Ju do t i bëni shumë pyetje vetes, por ka vetëm një përgjigje dhe atë mund ta merrni pranë grilave të pushtetit, ku u eliminuan disa puçistë, që i qenë sulur Kullës me LA (lapsa atomik) dhe me ÇDZ (çadra të zeza nukleare.)

Pse pashallarët heronj? Arsyeja është e thjeshtë zoti Hans, duhet krijuar një ekuilibër kombëtar: Erdoani, vëllai i Hashimit dhe Saliut, ka kërkuar që edhe pashallarët të shpallen heronj të shqiptarëve. Madje, edhe sulltanët. Ai dëshiron të futemi më shpejt në Europë. Sali Pasha dhe Hashim Pasha, kanë nënshkruar këtë obligim…

Po e vërtetë, kanë rrëzuar përmendoren e Enverit dhe ngritur të Ahmet Zogut…Po, ashtu është në modë tani në Shqipëri: Enveri ishte tradhtar, Zogu patriot…Pra tani kemi heronj të Partisë Demokratike dhe heronj të historisë shqiptare…

Nejse, pranë Tre Heronj të Shekullit XX, do ta gjeni rrugën Leka i Parë, mbret i ndjerë tanimë, që në një hotel të Parisit, shpalli veten mbret i shqiptarëve. Këtë hotel, zoti Hans, Qeveria shqiptare ka vendosur ta shkulë nga Franca dhe ta ngulë diku në Shqipëri. Bisedimet po vazhdojnë mes Carla Brunit dhe Jozefina Berishës. Është monument historik shqiptar dhe nuk mund të mbetet më në Paris, zoti Hans. Është ofendim për kombin tonë dhe Oborrin Shqiptar.

Këtu nëse dëshironi mund të ndaleni ca, ti bëni disa pyetje vetes… Po, e vërtetë, Saliu e pat përzënë mbretin, por tani është penduar: Jemi njerëz dhe gabojmë në jetë. Po, e di, e di, se ai tani pohoi se ka mësuar të numërojë vota dhe këtë ia tha edhe mbretit të vdekur. Nëse ngrihesh, i tha ai, atëherë, do t i rinumëroj votat si duhet dhe do të të shpall mbret…Ishte korrekt, apo jo?! Qëndrim madhështor i Berishës, apo jo?! Mirëpo, mbreti gaboi dhe nuk u ngrit…Sa keq! Në vend të tij, u ngrit vampir Nano. Ec e merreni vesh ju këtë botë!

Është e mundur Zoti Hans, është e mundur se ai tani Lekën tjetër po e përgatit. Kjo mirëpo akoma nuk dihet. Dihet vetëm se ai është numëruesi më i rafinuar në Europë.

Tani zoti Hans, ju jeni fare pranë Kullës, por meqë nuk bën të lakoni majtas, ju ngelen edhe pesë kilometra për të arritur aty. Tani vazhdoni përsëri djathtas dhe do të gjendeni në Bulevardin Rrahman Morina. Pas dy kilometrave, lakoni djathtas në bulevardin Hirësia autoqefale, Anastas Janullatos. Nëse keni dëshirë, fotografoni edhe përmendoren e tij në kalë të zi. Tani fikeni navigacionin, fikeni, është e mundur se ju sugjerohet të ktheheni majtas, por mos e bëni këtë në Shqipëri ju lutem. Mund të ju dërgojnë në parajsë.

Jo, jo,  në Shqipëri nuk ndiqet politikani që vret njerëz dhe miza. Ai posedon imunitet ndaj këtyre gjallesave. Po, natyrisht se ka një prokurori, por jo për qeveritarët…Pastaj, prokurores i ka falur një titull të ri: PuBul dhe kështu e ka zhgraduar! Imuniteti Zoti Hans, imuniteti…po, ashtu, siç posedonte imunitet Stalini, Hoxha, Tito, James Bondi apo kaubojt…Pasi të parkoni makinën, hiqni nga xhepi lapsin. Çadër mos merrni me vete edhe nëse bie breshër. Nga bodrumet e Kryeministrisë, mund të ju përshëndesin dhe japin lamtumirën, dmth. fitoni vizën për transferim. Në këtë Kullë, gjendet stalinisti i vetëm në sistemin tonë diellor, që drejton një parti demokratike.

Pse tradhtarët me përmendore dhe rrugë? Edhe kjo shumë e thjeshtë zoti Hans. Ndjenjat humanitare shtyjnë Kryeministrin t i pajtojë patriotët me tradhtarët. Pastaj, është provuar se tradhtarët kishin bërë kurvëri, nga dashuria e tepërt ndaj atdheut dhe kjo duhet të shpërblehet… Ju ndoshta dini se politikanët zgjedhin shëmbëlltyra për t i arsyetuar veprat e veta, u nevojiten personalitete historike që kanë bërë vepra të njëjta apo gati të njëjta.

Për shembull, duke rehabilituar Ahmet Zogun- që sipas statutit të vet Art. 65, nuk mund të konsiderohet mbret, kur qëndron më shumë se 3 muaj jashtë vendit – përligjet falja e detit Greqisë. Përligjet falja e tokës, përligjet falja e detit me Zogun zoti Hans.

Jo, tani për tani jo, e pengoi tradhtari i shekullit XXI, profesori Myslim Pasha. Ndërkaq, dezertimi zoti Hans, nuk quhet dezertim në Kullë, por largim. Edhe pse sipas artikullit 71 të statutit të vet Ai është komandanti më i lartë i forcave tokësore, detare dhe ajrore të Shteti…  Kaq, zoti Hans. Një politikan shpall si shëmbëlltyrë Skënderbeun, tjetri Zogun. Pse? Sepse vota e Einsteinit, vlen po aq sa vlen edhe vota e një bariu që gjendet brinjave, çukave, gërxheve, kodrave dhe lumenjve të kulluar…

Edhe një gjë mos harroni: Asnjë fjalë apo mendim pozitiv për Edi Ramën apo Kreshnik Spahiun. Apo më mirë, shani këta dy dhe do t ju përqafojë Kulla.

Edhe atë pyetje mos ia bëni. E di. Në Gjermani Krishtlindjet i urohen popullit nga qendra e pushtetit. Kancelarja dhe Kryetari i Gjermanisë nuk zhvesh pushtetin e fituar nga populli dhe nuk gjunjëzohet para një prifti apo hoxhe, që përfaqëson vetëm lutësit e rregullt, por jo popullin.

Në Ballkan, për dy apo tri vota, politikani degradon veten dhe me tërë pushtetin veshur nga populli, shkon tek krye-eminenca, tek ambasadori i Zotit: Janullatos apo tek Naim Tërnava dhe i urojnë popullit që e ka zgjedhur Krishtlindjet apo Bajramin. E bëjnë këtë nga zyra e njeriut, që nuk e ka votuar askush. Kaq Zoti Hans. Kur të hyni në zyrën e Kryeministrit merrni me vete: një psikiatër, një psikolog dhe një mentolog.

Njëri të vështrojë gjuhën e trupit, tjetri grimasat dhe i treti t i analizojë. Po, zoti Hans, po, gënjen dhe rrenë sapo ta hap gojën. Edhe kur thotë mirëdita, shikojeni orën, ju lutem, mund të jetë mesnatë.

Edhe një gjë harrova: fotografoni piramidën. Më vonë nuk do ta gjeni aty.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›