Euro 2016, UEFA publikon 4 kandidaturat e mundshme
Katër kandidatë, që përfaqësojnë pesë federata evropiane, kanë manifestuar interesin e tyre në UEFA për të mikpritur Euro 2016, fazën e parë finale të Kampionatit Evropian me 24 skuadra. Të martën UEFA ka bërë të ditur që, Franca, Italia e Turqia kanë informuar qeverinë e futbollit evropian se kanë ndërmend të prezantojnë një kandidaturë individuale, ndërsa Norvegjia e Suedia do të japin një të përbashkët. Rregullorja për kandidaturat e 2016-ës pohon se skadenca e dorëzimit të kërkesës ishte më 9 mars. "UEFA do të analizojë kërkesat e kandidatëve të interesuar, duke u bazuar në të dhëna të ndryshme teknike në lidhje me potencialin infrastrukturor, i nevojshëm për të mikpritur Euro 2016, ka thënë vetë UEFA dhe mbi eksperiencën në të kaluarën e këtyre federatave, për të organizuar evente sportive, para se të konfirmojmë listën zyrtare të kandidatëve". Faza e dytë do të fillojë më 3 prill, kur do të dorëzohen edhe të dhënat për kandidaturat. Kandidatët mund të plotësojnë dosjet e tyre, të cilat duhet të dorëzohen në UEFA brenda shkurtit 2010. Më pas gjithçka do të pasohet nga një fazë vlerësuese, gjatë së cilës UEFA do të bëjë një seri vizitash zyrtare, duke filluar nga marsi i 2010-ës. Administrata e UEFA-s dhe ekspertët e emëruar nga ajo, do të inspektojnë dosjet e kandidatëve dhe do të përgatisin një vlerësim me shkrim për Komitetin e Kompeticioneve Kombëtare të UEFA-s. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të marrë vendimin final më 27 maj të vitit 2010. Rivalët më të fortë janë Italia dhe Franca.