Pritja e Kakasë: Do të kthehem kur të mos ndiej më dhimbje
"Do të kthehem të luaj në momentin e parë që nuk do të ndiej dhimbje". Kaka e ka shpjeguar kështu formën e tij fizike, duke iu referuar dëmtimit në këmbën e majtë, të pësuar më 7 shkurt ndaj Rexhinës. Dëmtimi ka ndodhur në një zonë shumë delikate. Njoftimi, që nuk do t‘i bëjë të lumtur tifozët kuqezinj, lejon të parashikohet një kohë më e gjatë rikuperimi. "Për fat të keq është një dëmtim që nuk ndodh shpesh: nevojitet pak si shumë kohë për t‘u rikuperuar, sepse në këtë zonë kalojnë tendina të ndryshme", ka shpjeguar braziliani, i ftuar për të prezantuar projektin "Milani për një shkollë" në Milanelo. "Në të kaluarën, ka shtuar ai, kam luajtur një vit me një dhimbje gjuri, por këtë dhimbje kam mundur ta duroj deri javën e kaluar. Ndonjëherë ndiej ende pak dhimbje". "Kushdo që mendon se Kaka nuk ka dëshirë të kthehet të luajë, është i çmendur", ka replikuar më pas drejtori administrativ i Milanit, Adriano Galiani, i cili ka përgënjeshtruar kështu disa zëra, që kanë qarkulluar gjatë ditëve të fundit. Drejtuesi i Milanit nuk dëshiron ta dëgjojë një hipotezë të tillë, e cila shton dyshimet për një kalim të mundshëm të Kakasë në radhët e Realit të Madridit të Florentino Perez. Prandaj, ai saktëson me zë të lartë: "Kaka nuk është një i dëmtuar imagjinar. Riki është i përfshirë në projektin e Milanit për të ardhmen". Madje, lajmi i mirë për trajnerin Karlo Ançeloti është se, talenti brazilian do të duhet të jetë në dispozicion të dielën, në prag të ndeshjes në Seria A kundër Sienës.