E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti rrezikon "Pescara 2009"

Lojërat Mesdhetare janë në prag, ndërsa Shqipëria vazhdon të prodhojë vetëm probleme, të cilat mund të rrezikojnë pjesëmarrjen e sporteve tona në këtë kompeticion jo pak të rëndësishëm. Tashmë, telenovela e përplasjeve mes Komitetit Olimpik Shqiptar dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka shkruar edhe një pjesë të re, më të fundit të saj. Mosmarrëveshjet mes institucionit qeveritar dhe organizatës ombrellë të federatave, së fundmi janë shndërruar në konflikt mes disa federatave sportive dhe KOKSH-it. Nën zë është folur se, këtu ka dorë MTKRS, e cila mund t‘i ketë shtyrë federatat drejt bojkotit. Ky sinjal tregon se në MTKRS ka ndryshuar vetëm ministri (nga Pango te Turku), por jo strategjia anti-KOKSH.

Konflikti

Gjatë mbledhjes së organizatës olimpike me sekretarët e përgjithshëm të federatave për procesin përgatitor për Lojërat Mesdhetare "Pescara 2009", disa prej sekretareve kanë hapur edhe një herë temën e zgjedhjeve në KOKSH, duke i quajtur struktura aktuale jo legjitime. Për këtë arsye, ata kanë kërcënuar se do të aplikojnë vetë për pjesëmarrjen e sporteve të tyre në këto lojëra. Për koincidencë, federatat iniciatore të revoltës së djeshme janë pikërisht ato, ku zgjedhjet janë kontestuar me pretekstin se ka pasur ndërhyrje të MTKRS-së: Peshëngritja, Mundja, Atletika dhe Noti. Këto federata nuk njihen as nga KOKSH.

"Revolta"

I pari që inicioi revoltën ishte sekretari i Federatës së Peshëngritjes, Ilir Kraja, i cili u bëri thirrje të gjithë kolegëve të tij që të braktisin sallën në shenjë proteste për faktin se, mbledhja drejtohej nga nëpunës së administratës së kaluar të KOKSH-it, të cilët nuk kanë më mandat pas zgjedhjeve të dhjetorit të kaluar. "I ftoj të gjithë kolegët e mi që të bëjnë të njëjtën gjë me mua, të largohen nga kjo sallë, pasi ju jeni të paligjshëm. Mandati juaj ka përfunduar në muajin dhjetor", u shpreh Kraja. Pas tij, të njëjtën gjë kanë bërë edhe sekretarët e Mundjes, Atletikës dhe Notit. Ata nuk kanë preferuar të regjistrohen nëpërmjet KOOKSH-it për në Lojërat Mesdhetare, duke pretenduar se për një gjë të tillë, ata do të kontaktojnë direkt me drejtuesit e këtyre lojërave.

Regjistrimi

Më pas, ka ardhur reagimi i sekretarit të përgjithshëm i KOKSH-it, Stavri Bello. Sipas tij, bojkotimi i aktivitetit nuk është shenjë pozitive, sepse pjesëmarrësit në mbledhje janë administratorë dhe jo të zgjedhurit realë të federatave. "Bojkotin nuk do ta quaja shenjë pozitive, aq më tepër kur këta që ikën janë administratorë si puna ime. Të zgjedhurit janë të tjerë, të cilët le të vazhdojnë ‘sherret‘ e tyre. Askush nuk mund të regjistrohet vetë, pa kaluar ndërmjetësimin tonë. Deri tani, këtë të drejtë e ka KOKSH, dhe nuk mund të regjistrohen në mënyrë individuale siç tha dikush këtu", theksoi Bello. Ai pohoi gjithashtu se futbolli, basketbolli dhe volejbolli do të marrin pjesë në këto lojëra me ekipet e tyre më të mira, ndërkohë pritet që Shqipëria të përfaqësohet me rreth 130 sportistë në "Pescara 2009".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›