E Diel, 1 Nëntor 2026

Euro e mbyll javën me rritje, por pritet të bjerë në vazhdim

TIRANE- Situata e qetë pas zgjedhore dhe fillimi i efekteve sezonale pritet që të forcojnë lekun në periudhën e verës. Ka zgjatur vetëm dy ditët e para të javës forcimi i monedhës vendase ndaj euros. Kjo e fundit është forcuar sërish në ditët e fundit të javës, duke u mbyllur të premten në kuotën e 140.96 lekëve, nga 140.53 lekë, që arriti të martën, sipas kursit zyrtar të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Monedha evropiane ka shfaqur tendenca mbiçmuese gjatë pjesës së parë të këtij viti. Kursi mesatar i euros për periudhën janar qershor 2013 ka qenë 140.2 lekë, në raport me rreth 139 lekë, që është mesatarja e vitit të kaluar.

Por aktorët e tregut pohojnë se periudha në vijim do të shoqërohet me një mbiçmim të monedhës vendase, si rrjedhojë e situatës së qetë paszgjedhore, por edhe fillimit të efekteve sezonale, sidomos në korrik dhe periudhën e parë të gushtit, teksa emigrantët dhe turistët që vijnë në Shqipëri rrisin ofertën për valutë.

Megjithatë kjo prirje mund të neutralizohet nga kërkesa për valutë e shqiptarëve që dalin jashtë për të kaluar pushimet. Sipas bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, në rezultante, diferenca mes parave që hyjnë në Shqipëri nga turizmi dhe atyre që dalin, në përgjithësi është minimale.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›