Euro rikthehet e fortë, rifiton 4 pikë ndaj lekut, humbet dollari

Monedha europiane rikthehet në pozita mbizotëruese, ndërsa dollari dobësohet. Vetëm ditët e fundit një euro është shkëmbyer në tregun e këmbimit valutor me mbi 139 lekë, duke rifituar kështu të paktën katër pikë kundrejt monedhës shqiptare. Ekspertët e këmbimit valutor bënë të ditur se vlerësimi i euros po ndodh si rrjedhojë e rritjes së kërkesës nga bizneset vendase, kryesisht nga tregtarët që importojnë në vendet e Bashkimit Europian.
Krejt e kundërta ka ndodhur me dollarin amerikan, i cili është dobësuar me të paktën 6 pikë ditët e fundit. Një dollar aktualisht shkëmbehet me 106 lekë nga 112 që shkëmbehej pak ditë më parë. E parë nën këndvështrimin ekonomik zhvlerësimi i dollarit sjell më tepër anë positive, pasi ndikon direkt në uljen e cmimit të arit të zi në botë. Ndërsa vlerësimi i euros në këtë periudhë kundrejt monedhës tonë kombëtare ka më shumë disavantazhe për ekonominë shqiptare.
Së pari importet tona bëhen relativisht më të shtrenjta, gjë që ndikon në ngritjen e cmimeve në treg të produkteve të ndryshme ushqimore, duke qenë se ne jemi një vend kryesisht importues si dhe së dyti një pjesë e konsiderueshme e kredive që janë marrë në euro bëhen më të shtrenjta.
Ata që përfitojnë prej kësaj situate janë eksportuesit, të cilët e blejnë mallin në lekë dhe e shesin në euro.
Humbje nga vlerësimi i euros ka edhe qeveria, e cila do te paguajë më shumë për borxhin e jashtëm. Për shkak të krizës ekonomike euro arriti disa prej kuotave më të ulta gjatë muajve të fundit, jo vetëm kundrejt lekut por edhe ndaj monedhave të huaja.
Deklaratat për daljen e Greqisë prej Eurozonës dhanë ndikim të menjëhershëm në dobësimin e kësaj monedhe, e cila arriti të shkëmbehej edhe me 135 lekë në Shqipëri. Megjithatë menjëherë pas deklaratave për mbështetje të euros nga krerët e institucioneve financiare më të rëndësishme të Europës ka pasur një rivlerësim të menjëhershëm të monedhës së vendeve të Eurozonës.