E Shtunë, 31 Tetor 2026

Finlanda interes per investime ne Shqiperi

Nxitja e investimeve të huaja përmes krijimit të një klimë sa më lehtësuese dhe tërheqëse për to ishte në qendër të takimit që Kryeministri Berisha zhvilloi me një delegacion finlandez, me politikanë dhe përfaqësues të biznesit, të kryesuar nga senatori Markus Aaltonen, themelues i grupit parlamentar të miqësisë mes dy vendeve dhe i Shoqatës "Miqtë e Shqipërisë në Finlandë". Qëllimi i vizitës ishte njohja nga afër e arritjeve të deritanishme të Shqipërisë. "Na ra menjëherë në sy potenciali i mrekullueshëm turistik i Shqipërisë. Nga dy vizitat në këtë vend, e para në vitin '83 dhe e dyta në vitin '90, e gjeta Shqipërinë një vend tërësisht të zhvilluar në mënyrë impresionuese. Arritjet dhe zhvillimet janë vërtet të shënuara dhe përshtypjet tona do t'i transmetohen finlandezëve në forma të ndryshme si media etj."- u shpreh senatori finlandez.

Nga ana e tij kryeministri Berisha, e njohu delegacionin mbi zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale të Shqipërisë dhe duke e krahasuar po me vitin'83, Berisha tha se atërherë ishim vendi i tretë më i varfër në botë me të ardhura për frymë 204 dollarë në vit, ndërsa sot, shqipëria po është në grupin e vendeve me të ardhura mesatare të larta. Kreu i qeverisë evidentoi faktin se Shqipëria është ndër vendet e vetme në Europë që nuk pati recesion, ka tërhequr mbi 1 miliardë dollarë investime të huaja, renditet ndër 10 vendet e para në botë për klimën e biznesit, në mbrojtjen e investitorëve, regjistrimin e biznesit, shitjet e vitit 2012 janë rritur mbi 25 përqind dhe ekuilibrat makroekonomikë, si dhe borxhi publik janë në nivelet e parashikuara dhe nën kujdes të vazhdueshëm-theksoi zoti Berisha. Ai prezantoi potencialet investuese në fushën e turizmit, detar dhe malor, në sektorin e energjisë dhe të minierave, ndërsa energjia e rinovueshme, mbetet shtylla kryesore e qeverisjes. Këtë ekspoze kryeministri ia paraqiti edhe grupit Novo Belgium Holdings, një kompani belge e interesuar për të thelluar portofolin e investimeve në Shqipëri, për shkak të disa elementëve atraktivë si klima e biznesit apo burimet natyrore. Ky grup që ka filluar punën në Shqipëri në hidrocentrale dhe miniera, tashmë është i orientuar edhe drejt sektorëve të tjerë si në ndërtim dhe elektronikë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›