E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro tronditet nga kriza greke

Nuk kanë qenë zgjedhjet vendore të 8 Majit që kanë tronditur pozitat e euros në tregun e brendshëm, por reflektimi i bursës ndërkombëtare. Agjencitë ndërkombëtare kanë raportuar se Euro ka rënë me më shumë se 1 për qind ndaj dollarit, pasi është mësuar se Greqia po shqyrton mundësinë e braktisjes së monedhës së përbashkët. Në të njëjtën kohë, revista gjermane “Der Spiegel” ka raportuar për një takim që u zhvillua të premten, në të cilin u diskutua mundësia që Greqia të përdorë sërish valutën e saj. Por kjo alternativë është përgënjeshtruar menjëherë nga Athina zyrtare dhe më pas nga Gjermania. Gjithsesi, vetëm më vonë u konfirmua se ministrat nga pesë vende të eurozonës ishin takuar në Luksemburg. Përfaqësuesit e Gjermanisë, Francës, Italisë, Spanjës dhe Greqisë thuhet se kanë diskutuar çështje të brendshme të BE-së, përfshirë këtu situatën financiare në Portugali, Irlandë dhe Greqi. Kjo situatë është reflektuar menjëherë në tregun e brendshëm valutor. Sipas kursit zyrtar të këmbimit valutor të Bankës së Shqipërisë, një euro është tregtuar dje me 142.06 lekë dhe një dollar është tregtuar po dje me 98.56 lekë. Ndërsa, sipas agjencisë prestigjioze Bloomberg, dje një euro është këmbyer me 1.4306 dollarë, duke u zhvlerësuar me 0.08%. Në qoftë se lajmi i Greqisë konfirmohet zyrtarisht, pritet që kursi i këmbimit valutor të ketë luhatje të mëtejshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›