E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurodeputetët: Janë përmbushur kushtet teknike për vizat

23/03/2010 Delegacioni i Parlamentit Europian e vlerëson pozitive përmbushjen e kritereve për vizat

Eurodeputetët bëjnë thirrje që vendimi për liberalizimin të merret sa më shpejt

Presidenti i Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, eurodeputeti Eduard Kukan, ka deklaruar ditën e djeshme se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet teknike të udhërrëfyesit, prej të cilave varet liberalizimi i vizave. Gjatë takimeve që delegacioni i PE-së ka pasur dje me krerët më të lartë të shtetit shqiptar, eurodeputetët kanë vlerësuar ecurinë e përmbushjes së kritereve të përcaktuara në udhërrëfyes. Kreu i delegacionit, eurodeputeti Kukan, ka i vlerësuar pozitive rezultatet e arritura nga vendi ynë gjatë kësaj periudhe në drejtim të përmbushjes së kritereve dhe standardeve të integrimit evropian si dhe për sa i përket vendimit për heqjen e vizave. “Ne si deputetë të Parlamentit Evropian do të vazhdojmë të ngremë zërin në favor të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë sa më shpejt”, - ka deklaruar ai gjatë takimit që ka pasur me kryeministrin Sali Berisha. Në mesazhin e tij Kukan ka shprehur mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian ndaj përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të arritur sa më shpejt heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Komenti i djeshëm vjen edhe në funksion të fakteve të mbledhura gjatë kohëve të fundit nga ekspertë të BE-së, të cilët kanë monitoruar në terren ecurinë e plotësimit të kritereve të vendosura. Kukan e ka vlerësuar të rëndësishme plotësimin e kërkesave të udhërrëfyesit nga ana e qeverisë shqiptare, të cilat janë vlerësuar edhe nga misionet e ekspertët europianë. Shefi i delegacionit gjatë dy ditëve të fundit të qëndrimit në Tiranë ka vizituar zyrat kryesore përgjegjëse për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE-së, si dhe ka mundur të konstatojë funksionimin efikas të të gjitha sistemeve për kontrollin e integruar të kufirit dhe infrastrukturës tjetër të lidhur me çështjet e migracionit në institucionet shqiptare. Shefi i delegacionit para mbërritjes në Shqipëri është shprehur se heqja e vizave do të kishte kuptim nëse do realizohej përpara pushimeve të verës. Pjesë e delegacionit të PE-së ishte edhe eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, e cila njihet si një nga mbështetëset kryesore të liberalizimit të vizave për vendin tonë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Takimi me Berishën

Në takimin me delegacionin e PE-së kryeministri Berisha ka vënë theksin në përgatitjet në funksion të liberalizmit të vizave. Ai është shprehur se është miratuar legjislacioni i nevojshëm për kontrollin dhe survejimin e kufirit si dhe ai për azilin në përputhje me standardet evropiane dhe është vënë në funksion të plotë kontrolli i hapësirës detare me radarë. Ai ka përmendur edhe ligjin kundër mafies, shtyrjen e afatit për moratoriumin për skafet etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›