E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festohet Sulltan Nevruzi në Mallakastër

23/03/2010 Mblidhen bektashinjtë në Hambar të komunës së Cakranit

Drejtuesit shpirtërorë të kësaj feje bëjnë thirrje për vëllazërim

MALLAKASTER- Festa e Nevruzit, ose siç quhet ndryshe festa e Sulltan Nevruzit, e ka shndërruar fshatin Hambar të komunës së Cakranit në kryeqytetin shpirtëror të besimtarëve bektashianë. Në një komunitet të përbërë kryesisht nga familje të sektit bektashi, çdo vit rrethi i Mallakastrës dhe sidomos fshatrat e tij kthehen në tempuj shpirtërorë dhe argëtues, me një bashkëjetesë paqësore edhe me personat apo familjet e tjera, pavarësisht se cilës feje i përkasin. Ka shumë fshatra në Mallakastër ku tempulli fetar, teqetë, janë të pranishme dhe pikërisht në këto fshatra më 22 mars festohet nga vendasit e këtij sekti. Këtë vit ka qenë fshati Hambar në Mallakastër ku u festua madhnueshëm festa e Sulltan Nevruzit. Qengja dhe mishra të njomë të bërë kurbanë posaçërisht për këtë ditë ka qenë evenimenti kryesor në sheshin qendror të fshatit, i cili u shndërrua në një portë të hapur për të gjithë. Ka qenë komuna që ka sponsorizuar për të festuar me të gjithë në bashkëjetesë paqësore, por dhe në bollëk, ashtu siç e kërkon tryeza festive e kësaj dite. Sipas kryetarit të komunës Vladimir Korçari, qindra qytetarë nga Fieri, Vlora, Mallakastra e deri nga Kruja e largët kanë zgjedhur dy teqetë e këtij fshati për të bërë kurbane, për të therur qengja dhe zhvilluar ritet fetare. “Ju uroj të gjithëve gëzuar festën e Kurban Nevruzit, festë e sektit bektashi, e cila kujton ditëlindjen e të madhit tonë Imam Aliut dhe që festohet pikërisht me ardhjen e pranverës, stinës së përtëritjes së jetës dhe njerëzve. Pranverë paçi edhe ju përherë në shtëpitë tuaja dhe qofshi të lumtur e të gëzuar siç jeni sot, mes gjithë të mirave materiale që kërkon kjo ditë e shënuar!” - ka thënë Korçari. Kryebashkiaku i Fierit Baftjar Zeqaj, i pranishëm në këtë festë, ka përshëndetur festën e Kurban Nevruzit dhe ka bërë apel për vëllazërim, dashuri e mirëkuptim. “Në këtë ditë të shënuar, kur portat e dashurisë janë hapur për të gjithë njerëzit pavarësisht etnisë dhe fesë, unë ju bëj thirrje për më shumë vëllazërim, dashuri dhe mirësi te ju dhe shtëpitë tuaja. Dita e shënuar e sektit bektashi, Sulltan Nevruzi, lejon pikërisht mirësi dhe paqe mbi të gjithë”, - ka thënë Zeqaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›